Mër. Kor 1st, 2026

Nis intervistimi i kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit

Paneli Vlerësues për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), i kryesuar nga z. Arian Gashi dhe i përbërë nga z. Visar Krasniqi dhe znj. Elza Bajrami Kastrati, ka filluar hartimin e pyetjeve standarde për intervistimin e kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në përputhje me procedurat e përcaktuara për zhvillimin e këtij procesi, tre orë para fillimit të intervistave, Paneli Vlerësues është duke përgatitur pyetjet standarde në prani të monitoruesve nga partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të garantimit të transparencës dhe besueshmërisë së procesit.

Intervistat e kandidatëve do të fillojnë në ora 11:00.

Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit janë: Atdhe Dema, prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Naim Abazi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Rafet Halimi, prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Shqipdon Fazliu, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zejnullah Gashi, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kryesuesi i Panelit Vlerësues, njëherësh Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Arian Gashi, theksoi se procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë, objektivitet dhe profesionalizëm, duke siguruar trajtim të barabartë për secilin kandidat.

Postime të Ngjashme