U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.
Gjatë takimit, Haxhiu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar se vendi e ka shndërruar këtë përkrahje në rezultate konkrete.
“Kosova e ka kthyer këtë mbështetje në institucione demokratike, në reforma dhe në një orientim të qartë evropian, i cili gëzon mbështetje shumë të lartë qytetare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidentja në detyrë theksoi se Kosova ka mbajtur një kurs të qartë në procesin e reformave evropiane dhe është e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Ajo kërkoi që progresi i arritur nga Kosova të shoqërohet me hapa konkretë nga BE-ja.
“Progresi i Kosovës të marrë përgjigje të qartë politike nga Bashkimi Evropian përmes avancimit drejt statusit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit”, citohet të ketë kërkuar Haxhiu.
Sipas njoftimit, Haxhiu ngriti edhe çështjen e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit.
“Kosova duhet të trajtohet me të njëjtën mundësi për përfaqësim, lidhje infrastrukturore, tregti, digjitalizim dhe qasje në iniciativat e tregut të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

