Enj. Qer 25th, 2026

81 pozita në ATK me ushtrues detyre në kundërshtim me ligjin

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka vazhduar të mbajë dhjetëra pozita drejtuese me ushtrues detyre, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të publikuar për Ministrinë e Financave të udhëhequr nga Hekuran Murati. Ku përveç parregullsive dhe keq menaxhimit të arkës së shteit janë identifikuar një varg shkeljesh edhe në mbajtje të pozitave në ATK pa i respektuar ligjin.

Sipas raportit të ZKA-së për vitin 2025, një nga gjetjet kryesore lidhet me menaxhimin e burimeve njerëzore në ATK, ku janë identifikuar gjithsej 81 pozita të mbajtura me zëvendësues apo ushtrues detyre, pa respektuar kërkesat ligjore për emërimin e tyre.

Auditorët kanë evidentuar se kjo praktikë nuk është në harmoni me legjislacionin në fuqi, duke ngritur shqetësime për funksionimin e strukturës organizative dhe respektimin e procedurave të rekrutimit dhe avancimit në institucion.

Përveç kësaj, raporti ka evidentuar edhe çështje të tjera që lidhen me menaxhimin institucional, përfshirë vonesa në trajtimin e kërkesave të tatimpaguesve për kthim dhe rimbursim tatimor, si dhe mangësi në administrimin e kontratave. Sipas raportit të ZKA-së, në 248 raste kishte vonesa në trajtimin e kërkesave për kthim ose rimbursim tatimor brenda afateve ligjore.

ZKA ka kërkuar nga menaxhmenti i ATK-së që të ndërmarrë veprime konkrete për adresimin e këtyre gjetjeve dhe për sigurimin e përputhshmërisë së plotë me legjislacionin në fuqi.

Raporti thekson se praktika e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre për periudha të gjata mund të ndikojë në funksionimin efikas të institucionit dhe në respektimin e parimeve të meritokracisë në shërbimin publik.

Postime të Ngjashme