Mar. Qer 23rd, 2026

KQZ: Rezultatet përfundimtare shpallën pasi të shqyrtohen të gjitha ankesat

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë për RTV21 se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit do të shpallen pasi të përfundojë shqyrtimi i të gjitha ankesave. Sipas tij, pas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), palët kanë afat prej 48 orësh për të paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe të vendimmarrjes së institucioneve përkatëse, para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’ju konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me dy ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formë të prerë. Pas plotfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, të cilat duhet të zbatohen para se të procedohet me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka deklaruar Elezi.

Postime të Ngjashme