Alarmi për një mjet të dyshuar shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ka rezultuar të jetë i rremë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila bëri të ditur se pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, ka deklaruar Ahmeti .
Policia kishte pranuar informatën rreth orës 18:00, duke ndërmarrë menjëherë masat e sigurisë në zonë. Për shkak të dyshimeve, qytetarët u evakuuan nga një perimetër i caktuar, ndërsa njësitet përkatëse kryen kontrolle të detajuara në hapësirat e stacionit.

