Pre. Qer 12th, 2026

27-vjetori i Çlirimit, Abdixhiku: Kosova i dha fund një regjimi shfarosës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar qytetarët me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se më 12 qershor të vitit 1999 mori fund njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore e shqiptarëve nën regjimin serb.

“27 vjet më parë Kosova u çlirua përfundimisht nga okupimi dhe sundimi shfarosës serb. Pikërisht më 12 qershor të vitit 1999, do të merrte fund njëherë e përgjithmonë vuajtja shekullore shqiptare nga një regjim barbar serb që po vriste e po digjte në çdo cep të Kosovës.Rrezet e lirisë po pushtonin horizontin e zymtë të qiellit të Kosovës, ato po largonin retë e zeza të mortjes, të djegieve të shtëpive e vuajtjeve të popullit tonë. Këto rreze lirie erdhën si rezultat i një rezistence paqësore të pathyeshme të udhëhequr nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”, ka shkruar ai.

Abdixhiku theksoi se liria erdhi si rezultat i rezistencës paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, luftës së Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO.

“Regjimi famëkeq serb kishte vrarë e masakruar mijëra cilvil të pambrojtur, kishe deportuar mbi një milion shqiptar nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare. Këtij regjimi fashist do i vinte fundi pas 78 ditëve të bombardimeve të Aleancës së NATO-s. Në këtë përvjetor, të Ditës së Çlirimit nderojmë dhe kujtojmë sakrificën sublime të brezave të tërë që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Përjetësisht mirënjohës dhe falenderuee për partnerët e miqtë ndërkombëtar SHBA-të, BE-në, NATO-n dhe të gjitha shtetet e tjera evropiane demokratike që mbështetën dhe ndihmuan në arritjen e lirisë sonë.Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!”, shkroi Abdixhiku

Postime të Ngjashme