Enj. Qer 11th, 2026

Haxhiu për presidentin: Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, duhet të ulemi dhe të flasim

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, partitë politike duhet të angazhohen në dialog për të gjetur një zgjidhje lidhur me çështjen e presidentit.

Në një intervistë për RTK nga Sofja, Haxhiu tha se fillimisht duhet të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin e votave të mërgatës, votave me kusht dhe atyre me asistencë.

“Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor ne duhet të angazhohemi në takime me partitë politike në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për çështjen e presidentit”, tha Haxhiu.

Ajo theksoi se përmbyllja e procesit të numërimit është hapi i parë, ndërsa më pas kërkohet angazhim dhe vullnet politik për të shmangur bllokadat institucionale.

“Le t’i shohim njëherë përfundimin e procesit të numërimit duke qenë se tashmë janë edhe votat e mërgatës, votat me kusht dhe ato me asistencë, andaj sapo të mbyllet ky proces është shumë e rëndësishme që të ipet kontribut dhe të dëshmohet vullnet në mënyrë që të mos përballemi me situata sikurse kemi parë edhe në 2025 dhe këtë periudhën që lamë pas”, deklaroi ajo, raporton telegrafi

Sipas Haxhiut, zgjidhja mund të arrihet nëse ekziston gatishmëri nga subjektet politike.

“Nëse do të ketë vullnet prej partive politike, do të gjendet zgjidhje. Është e rëndësishme të dëshmohet vullnet. Kemi shumë dallime në çështje të ndryshme të politikave ditore, por për çështjen e presidentit duhet të ulemi dhe të flasim seriozisht dhe të dëshmojmë vullnet”, u shpreh Haxhiu.

Postime të Ngjashme