Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në vend, Michalis Rokas.
Siç njoftojnë nga kabineti i tij, Gashi theksoi se Bashkimi Evropian për qytetarët e vendit tonë, nuk është vetëm një bllok politik dhe ekonomik, por përfaqëson një angazhim ndaj vlerave të tilla si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe solidariteti.
“Ai theksoi se pavarësisht faktit që rruga jonë evropiane është e vështirë dhe e mundimshme, Kuvendi punon me përkushtim për miratimin e ligjeve nga agjenda e reformave. Bëhet fjalë për reforma të brendshme që lidhen me kapitujt dhe legjislacionin e BE-së, jo vetëm sepse ato janë pjesë e procesit tonë të integrimit evropian, por sepse janë të nevojshme për qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë të begatë. Ai theksoi gjithashtu pritjen se së shpejti do të fillojmë një proces negociatash që do të jetë i qëndrueshëm dhe që mund të zbatohet në mënyrë që të na çojë drejt anëtarësimit të plotë, duke mbrojtur njëkohësisht interesat tona”, thuhet në njoftim.
Më tej ceket se ambasadori Rokas ka thënë se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është në vazhdim dhe zhvillimet e reja gjeopolitike globale lejojnë që ky proces të përshpejtohet. Kjo, shtoi ai, do t’i mundësojë Bashkimit Evropian të zgjeruar t’u përgjigjet më mirë sfidave të reja gjeopolitike.
“Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord që në periudhën e ardhshme Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të ketë një rol të madh në miratimin e ligjeve nga agjenda e reformave, të cilat janë të nevojshme për përparimin e mëtejshëm të vendit drejt Bashkimit Evropian, si dhe për shfrytëzimin më të plotë të mundësive të ofruara nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

