Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë shpallur projektet fituese të konkursit për ndërtimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari” në kryeqytet.
Sipas Ramës, koncepti i vlerësuar me vendin e parë nga komisioni profesional do të realizohet në Prishtinë, duke përfaqësuar rëndësinë historike, kombëtare dhe emocionale që bart figura e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.
Memoriali fitues mban emrin “Zâni i Lirisë” dhe është konceptuar si një simbol i përhershëm i lirisë dhe sakrificës për shtetin e Kosovës.
Rama ka theksuar se projekti është frymëzuar nga fjalët e Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë”, duke e shndërruar zërin e tij në një simbol që do të jetojë ndër breza.
Sipas tij, memoriali do të shërbejë si një kujtesë e përhershme e luftës për liri dhe e sakrificës së familjes Jashari, ndërsa zëri i Komandantit Legjendar do të vazhdojë të jehojë në zemër të Kosovës.

