Kombëtarja e Kroacisë e vajzave në futboll në prag të ndeshjes me Kombëtaren e Kosovës, e vlefshme për kualifikimin në Kupën e Botës 2027, ka mbajtur sot seancën stërvitore në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Dardanet do të përballen me Kroacinë si vendase në Prishtinë dhe me Gjibraltarin si mysafire, në kuadër të Grupit 2 të Ligës C ku ndeshjen ndaj Kroacisë do ta zhvillojnë me 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 19:00.
Duke folur për KosovaPress, kapitenia e Kombëtares së Kroacisë, Doris Bacic, theksoi se skuadra e saj është përgatitur për këtë ndeshje njësoj si për çdo përballje tjetër në kualifikuese, por pranoi se kjo sfidë ka një rëndësi të veçantë. Ajo e cilësoi si ndeshjen më të rëndësishme të këtij cikli, duke shtuar se ekipi ka besim të plotë dhe se të gjitha lojtaret do të japin maksimumin në fushë.
Bacic:Ndeshja më e rëndësishme që kemi pasur në këtë raund
“Ne jemi përgatitur për këtë ndeshje, mund të them njësoj si për çdo ndeshje tjetër në këtë raund kualifikues. Por gjithashtu e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. E dimë që është ndoshta ndeshja më e rëndësishme që kemi pasur në gjithë këtë raund. Por ne kemi besim në vetvete dhe do të shohim nesër kush do të luajë dhe jam i sigurt që të gjithë do të japin 100%” – deklaroi kapitenia Bacic.
Duke folur për kundërshtarin, Doris Bacic e cila është portiere e Kroacisë, u shpreh se Kroacia e njeh shumë mirë Kosovën, pasi është hera e dytë që përballen në kualifikuese. Ajo vlerësoi lart ekipin kosovar, duke e cilësuar si agresiv dhe shumë luftarak në fushë, ndërsa theksoi se skuadra e saj e ka analizuar mirë kundërshtarin dhe është e përgatitur për sfidën.
Bacic: Kemi respekt të madh për ekipin e Kosovës
“Ne i njohim shumë mirë sepse kjo është hera e dytë që luajmë kundër tyre në kualifikuese. Kemi respekt të madh për ekipin e Kosovës. E dimë që është një skuadër shumë agresive. E dimë që ata japin gjithçka në fushë. Përpiqen gjithmonë të marrin topin, por ne jemi gati dhe i kemi analizuar dhe mendoj se do të jemi të përgatitur për nesër” – ka thënë Bacic.
Sa i përket taktikës së lojës, kapitenia bëri të ditur se vendimi përfundimtar i takon trajnerit, por nënvizoi se skuadra synon fitoren. Ajo la të kuptohet se Kroacia ka gjasa të luajë në mënyrë sulmuese, megjithatë gjithçka do të varet nga strategjia që do të vendoset për ndeshjen.
Bacic: Besoj se do të shkojmë për një lojë sulmuese
“Mendoj se këtë do ta vendosë trajneri, por ne shpresojmë për fitore nesër dhe besoj se do të shkojmë për një lojë sulmuese. Por në fund, çfarëdo që të ndodhë, trajneri do të vendosë” – shtoi Bacic.
Në fund, Bacic foli për përgatitjet e ekipit, duke theksuar rëndësinë e atmosferës pozitive dhe zbatimit të taktikave të trajnerit. Ajo pranoi se koha për përgatitje është e kufizuar në ndeshjet e kombëtares, por siguroi se skuadra do të jetë gati dhe mezi pret përballjen ndaj Kosovës.
Bacic: Jemi gati nesër dhe të gjithë mezi po e presim ndeshjen
“Ne kemi qenë duke u përgatitur për një atmosferë të mirë në ekip dhe për taktikat që dëshiron trajneri. Mendoj se zakonisht kur përgatitesh është pothuajse gjithmonë njësoj. Nuk ka shumë kohë për përgatitje sepse bashkohesh me ekipin kombëtar vetëm disa ditë para ndeshjes. Por, siç thashë më parë, do të jemi gati nesër dhe të gjithë mezi po e presim ndeshjen” – përfundoi Bacic.
Kosova bën pjesë në Grupin C2, ku aktualisht kryeson renditjen, e ndjekur nga Kroacia, Bullgaria dhe Gjibraltari

