Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se Kosovës i duhet një kryeprokuror i ri dhe se shumica e problemeve në prokurori lidhen me kryeprokurorin Blerim Isufaj.
Kurti, në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së, deklaroi se “duhet një kryeprokuror i ri, jo Blerim Isufaj”, duke e akuzuar atë për gjendjen në sistemin prokurorial.
Pas këtyre deklaratave, Prokuroria Speciale ka dalë me një reagim zyrtar, duke theksuar se ushtron mandatin e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme.
“Prokuroria Speciale dhe kryeprokurori i saj, z. Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale”, thuhet në reagim.
Tutje, PSRK-ja vlerëson se besueshmëria dhe integriteti institucional ndërtohen mbi punën, transparencën dhe respektimin e ligjit, “e jo mbi deklarata politike”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

