Pre. Maj 15th, 2026

Gërvalla: Fuqizimi i familjes është përgjegjësi shtetërore

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, sot mori pjesë në tryezën për Shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, të organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Në fjalën e saj hyrëse, ministrja Gërvalla deklaroi se familja meriton vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale.

“Kur familja është e mbrojtur, edhe shoqëria është më e fortë, prandaj slogani: “Shteti fillon me familjen”. Por, kur brenda familjes ekziston dhunë, frikë, mungesë e mirëqenies ekonomike apo mungesë e mbështetjes institucionale, pasojat reflektohen në gjithë shoqërinë, në mirëqenien e fëmijëve, në pozitën e grave dhe në stabilitetin e vetë shtetit”, tha ajo, duke shtuar se fuqizimi i familjes është përgjegjësi shtetërore.

Në këtë drejtim, ministrja Gërvalla tha se Ministria e Drejtësisë gjatë viteve 2021–2025 ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në fuqizimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Ajo përmendi dyfishimin e mbështetjes financiare për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, duke kaluar nga 880 mijë euro në vitin 2020 në 2.5 milionë euro në vitin 2025.

“Po ashtu, janë fuqizuar mekanizmat mbështetës për fëmijët pa përkujdes prindëror, janë rritur mbështetjet financiare për familjet strehuese, janë licencuar mijëra profesionistë të shërbimeve sociale dhe familjare, janë miratuar ligje dhe akte nënligjore që krijojnë standarde më të larta të mbrojtjes sociale dhe është zgjeruar qasja në ndihmë juridike falas për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë”, tha ministrja Gërvalla.

Ajo vuri në vëmendje progresin e Republikës së Kosovës në forcimin e mbrojtjes institucionale përmes miratimit të ligjit të ri për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, harmonizimit me Konventën e Stambollit, funksionalizimit të mekanizmave koordinues lokalë, programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës dhe rritjes së shërbimeve për viktimat.

“Këto janë zotimet tona të përmbushura, kujdes, buxhet e shërbime për familjet dhe fëmijët në njërën anë, politika, zbatim e monitorim të vazhdueshëm në anën tjetër. Pra më shumë për familjen, më shumë për fëmijët dhe më shumë shërbime”, theksoi Gërvalla.

Postime të Ngjashme