Hën. Pri 13th, 2026

Gjermania ul përkohësisht taksat për karburantet, Gërxhaliu: Institucionet vendore të shqyrtojnë masa të ngjashme

Vendimi i Gjermanisë për të ulur përkohësisht taksat mbi karburantet për një periudhë dy mujore është vlerësuar si një hap në funksion të mbrojtjes së ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili ka theksuar se një fuqi e madhe ekonomike si Gjermania po dëshmon se ndërhyrjet fiskale janë të domosdoshme në kohë sfidash ekonomike.

Sipas tij, ky vendim reflekton një qasje pragmatike të politikave ekonomike, ku prioritet mbetet stabiliteti i tregut dhe lehtësimi i barrës për qytetarët dhe bizneset.

Gërxhaliu ka rikujtuar se edhe në Kosova janë dhënë rekomandime nga ekspertët për institucionet vendore që të shqyrtojnë skenarë të ngjashëm për uljen e taksave në karburante, mirëpo, sipas tij, këto propozime janë përballur me reagime negative dhe kritika.

“Vendime të tilla dëshmojnë se ndërhyrjet e targetuara fiskale janë të arsyeshme dhe të nevojshme në kohë krizash. Fatkeqësisht, rekomandimet e ekspertëve vendorë për masa të ngjashme janë keqinterpretuar dhe shpesh janë shndërruar në sulme e ofendime”, ka theksuar ai.

Ai ka bërë thirrje që institucionet në Kosovë të reflektojnë dhe të analizojnë praktikat ndërkombëtare, duke vlerësuar mundësinë e aplikimit të politikave që mbështesin qytetarët dhe sektorin privat në periudha të rritjes së çmimeve.

Postime të Ngjashme