Sektori i bujqësisë në Kosovë po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të rritjes së kostove të prodhimit dhe rënies së çmimeve të drithërave, duke i lënë fermerët me fitime minimale. Si fermerët ashtu edhe ekspertët e fushës kërkojnë ndërhyrje të shtetit për të stabilizuar tregun dhe për të mbështetur prodhimin vendor.
Bujku Valon Vehapi, i cili merret me bujqësi prej vitesh dhe aktualisht punon rreth 200 hektarë tokë, thotë për KosovaPress se pavarësisht nga angazhimi i madh, përfitimet nga ky sektor janë minimale.
“Unë i punoj rreth 200 hektarë tokë, por me zor e nxjerrim një rrogë të vogël. Sikur të kishte qenë shumë profitabile bujqësia nuk do të ishte dashur krejt bota ta subvencionojë dhe ta përkrah. Për atë arsye përkrahet, sepse nuk ka kurrfarë levërdie. Arsyet janë të shumta. Përpara e kemi pasur çmimin e grurit, kur e shitnim, ka qenë diku 27 centë. Po çështja e inputeve, një thes pleh e kemi blerë më herët 6 euro, një litër naftë e kemi pasur 80 centë në atë kohë. Tash janë shtrenjtuar 200 për qind çmimet e inputeve, ama çmimi i drithit na ka rënë. Domethënë, një kilogram grurë e kemi shitur 18 centë. Kurrë nuk është shitur një kilogram grurë 18 centë, gjithmonë është shitur 24 centë, 27 centë. Po çka ka qenë çudi, që kur e shitnim grurin 24 centë, në furrë kur shkonim të blejmë bukë ka qenë 30 centë, 35 centë. Tash gruri ka rënë në 18 centë, po buka është 50–60 centë”, tha Vehapi.
Ai shton se ndonëse ka subvencione, ato nuk janë të mjaftueshme për të përballuar rritjen e kostove, sidomos të naftës.
“Subvencionet jepen prej Ministrisë së Bujqësisë, mirëpo tash jemi në krizë me këto çmime që kanë lëvizur, sidomos çmimi i naftës. Tash nuk është çështje ‘hajt të shohim a po bëjmë zgjidhje’, por është çështje urgjente, sikur të kishte përkrahje me naftë. Secili bujk duhet të përkrahet me naftë. Së paku minimumi të shkojë deri në 50 litra për hektar për kulturat pranverore, për arsye se bujqësia është interes nacional. Nuk mund ta lëmë bujqësinë ‘hajt se bëhet’, sepse çdo tokë i ka ditët e veta kur fillon puna”, u shpreh Vehapi.
Sipas tij, vështirësitë në sektor janë thelluar që nga periudha e pandemisë, kur kostot janë rritur ndërsa çmimet e drithërave kanë rënë.
Bujku Vehapi e sheh zgjidhjen kryesore ndërhyrjen e shtetit për të garantuar çmimin e prodhimeve bujqësore para sezonit të korrjes, në mënyrë që fermerët të dinë paraprakisht sa do të fitojnë.
Ai thekson se subvencionet aktuale nuk e zgjidhin problemin, pasi kostot e prodhimit janë rritur shumë, sidomos për shkak të naftës dhe inputeve të tjera.
Ndërsa, profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, tha për KosovaPress se bujqësia, si në nivel global, ashtu edhe në Kosovë, ndodhet në kushte të disfavorshme, për shkak të ndikimit të tregjeve ndërkombëtare dhe mungesës së prodhimit të mjaftueshëm vendor.
Sipas tij, çmimet e produkteve strategjike, si drithërat dhe gruri, përcaktohen nga bursat ndërkombëtare, çka e bën vendin të varur nga importi pothuajse çdo vit.
“Tani ky vit është edhe më specifik në raport me vitet e kaluara për faktin se inputet kanë shtrenjtim, janë çmime enorme, posaçërisht karburantet, derivatet, domethënë nafta që është alfa dhe omega në bujqësi dhe inputet e tjera shtesë si farërat cilësore, preparatet e tjera. Kjo shton tash shqetësimin Brenda, në përgjithësi, në nivel vendi, që prapë do të varemi nga importi dhe bujqit, një pjesë e madhe e tyre, qofshin ata të vegjël ose komercialë që janë bërë pak më të mëdhenj, po demotivohen, po dekurajohen, sepse kostoja e prodhimit do të jetë dukshëm më e lartë për njësi sipërfaqësore, si pasojë e shtrenjtimit të lartë, të rregullimeve të çmimeve të karburanteve.”, tha Rusinovci.
Ai thekson se rritja e kostove të prodhimit po krijon një zinxhir problemesh në sektor, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e çmimeve të produkteve finale, të cilat, sipas tij, rrezikojnë të bëhen të papërballueshme për qytetarët.
Në këtë drejtim, Rusinovci konsideron se institucionet duhet të ndërhyjnë me politika konkrete për të mbështetur fermerët, përfshirë lehtësira fiskale dhe masa stimuluese për sektorin e bujqësisë.
“Nëse ke taksë fikse për akcizën, TVSH-në e të tjera e të tjera për naftën që 100% importohet në Kosovë, së paku për dedikim të bujqësisë do të mund të ulej, do të mund të përgjysmohej, që të jetë një lehtësi për fermerët. Do të mund të siguroheshin rezervat e naftës për fermerë, jo të falen, sepse nuk ka falur më asgjë, por të njëjtat pastaj të kompensohen dhe të krijohen rezervat shtetërore, të cilat nuk i kemi. Domethënë fermeri X ose Y mund të furnizohet me një kontigjent të caktuar të karburantit, për të cilën sasi në fund të periudhës vegjetative mund t’i marrë sasitë e drithit dhe mund të krijohen rezervat shtetërore”, tha ai.

