Mër. Mar 11th, 2026

Mbi 7 mijë fermerë përfitojnë nga projekti IRIS për ujitje

Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, sot mori pjesë në punëtorinë e organizuar në kuadër të Projektit IRIS – Përmirësimi dhe Rehabilitimi i Sistemeve të Ujitjes. Ky projekt mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe synon rritjen e efikasitetit të ujitjes, si dhe rritjen e produktivitetit në sektorin bujqësor.

Gjatë punëtorisë u diskutua për rëndësinë e modernizimit dhe rehabilitimit të sistemeve të ujitjes, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.

Ministri Muja theksoi se investimet në infrastrukturën e ujitjes janë ndër prioritetet kryesore të Ministrisë, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit bujqësor, menaxhimin më të mirë të burimeve ujore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor.

“Si ministër i Bujqësisë, përmirësimi dhe modernizimi i sistemeve të ujitjes do të jetë një ndër prioritetet kryesore gjatë qeverisjes sime. Investimet në ujitje janë thelbësore për zhvillimin e bujqësisë, pasi ato u mundësojnë fermerëve tanë të rrisin prodhimin vendor, të përmirësojnë rendimentet dhe të përfitojnë më shumë nga aktiviteti i tyre bujqësor”, theksoi ministri Muja.

Projekti IRIS është i fokusuar në skemën e ujitjes Radoniqi–Dukagjini, duke kontribuar në përmirësimin e funksionalitetit dhe efikasitetit të këtij sistemi të rëndësishëm të ujitjes. Përmes këtij projekti synohet jo vetëm rritja e produktivitetit bujqësor, por edhe forcimi i qëndrueshmërisë mjedisore dhe ekonomike për komunitetet rurale.

Përmes implementimit të Projektit IRIS në skemën e ujitjes Radoniqi–Dukagjini pritet që të përfitojnë mbi 7.000 fermerë, të cilëve do t’u mundësohet qasje më e mirë në ujitje, rritje e rendimenteve bujqësore dhe zhvillim më i qëndrueshëm i aktivitetit të tyre bujqësor.

Ministri Muja falënderoi veçanërisht Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian, të cilët kanë mbështetur financiarisht dhe teknikisht realizimin e këtij projekti.

Sipas të dhënave të prezantuara gjatë punëtorisë, deri në fund të muajit dhjetor më shumë se 11,000 hektarë tokë bujqësore janë pajisur me sisteme të përmirësuara të ujitjes, duke tejkaluar tashmë objektivin e paraparë të projektit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *