Proceset e brendshme zgjedhore në dy prej partive kryesore opozitare në vend, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë rikthyer në vëmendje debatin për reformimin, konsolidimin dhe lidershipin brenda subjekteve politike.
Zyrtarë të këtyre partive paralajmërojnë një fazë të re rikonfigurimi, mirëpo analistë politikë kërkojnë që zgjedhjet e brendshme në këto parti të jenë përmbajtjesore dhe jo sa për sy e faqe.
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë për KosovaPress, se zgjedhjet e brendshme përfshijnë strukturën nga nëndegët deri te zgjedhja e kryetarit, duke synuar “rifreskimin” dhe konsolidimin e partisë.
Ai thotë se po presin që edhe procesi në Hagë të përfundojë në fund të muajit prill dhe ish-krerët e UÇK-së, të kthehen fitimtarë në Kosovë. Pastaj, sipas tij, edhe proceset e brendshme të PDK-së do të jenë më të lehta.
“Ky proces i brendshëm zgjedhor i PDK-së është një proces gjithëpërfshirës që përfshin tërë strukturën tonë nga nëndegët dhe pastaj te zgjedhja e kryetarit të PDK-së. Sigurisht se ka nevojë për rifreskim edhe për të arritur konsolidimin e duhur të PDK-së. Po shpresoj shumë që procesi në Hagë të përfundojë në fund të muajit prill dhe çlirimtarët tanë të kthehen fitimtarë në Kosovë. Pastaj të gjitha proceset e brendshme të PDK-së do të jenë edhe më të lehta dhe në dobi të interesit qytetar të Republikës së Kosovës… Përtej kësaj, sepse mandati i kryetarit është deri në zgjedhjen e Konventës së re”, deklaron ai.
Në anën tjetër, në AAK, kryetari aktual, Ramush Haradinaj, bëri të ditur ditë më parë se nuk do të kandidojë më për kryetar.
Në këtë parti kandidaturën e shpalli Ardian Gjini, mirëpo nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, thotë për KosovaPress, se Haradinaj do të duhet të qëndrojë në krye të partisë.
Argumenti i Lekajt bazohet në idenë se baza votuese e AAK-së është e lidhur ngushtë me figurën e liderit dhe se çdo alternativë tjetër nuk do të prodhonte efekt elektoral më të thellë.
“Unë nuk jam i mendimit që zoti Haradinaj të mos zgjidhet prapë, sepse çfarëdo figure tjetër, nuk mendoj që mund të bëjnë ndonjë ndryshim më të thellë në elektorat, sepse elektorati jonë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është fanatik i figurës së zotit Haradinaj dhe në këtë drejtim ne do të kemi një proces, pavarësisht nëse ka të interesuar të kandidojnë për të marrë lidershipin, është kuvendi që me votën e tyre mund ta zgjedhë”, deklaron Lekaj.
E ndryshimet në dy partitë opozitare po i konsideron të domosdoshme analisti politik, Blerim Canaj.
Canaj e vendos theksin pikërisht te motivi real i këtyre proceseve. Sipas tij, thelbësore është të kuptohet nëse zgjedhjet e brendshme synojnë hapjen e partisë dhe ofrimin e kapaciteteve të reja, apo nëse shërbejnë për të konsoliduar grupime të caktuara brenda saj.
Canaj thekson se rezultati zgjedhor është matësi kryesor i suksesit të një lidershipi. Nëse një parti, sipas tij, nuk arrin të artikulojë qartë mesazhin dhe të mobilizojë energji të brendshme, atëherë çështja e ndryshimit të lidershipit bëhet legjitime.
“Në qoftë se bëhen zgjedhjet për hir të grupimeve, atëherë është jo që i sjell diçka partisë, por ndoshta mund edhe ta dëmtojë. Por në qoftë se e kanë seriozisht, për shkak se e dimë që te PDK-ja ka degë të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të forta por tani janë inekzistente. Kemi raste kur njerëzit thjesht janë pasivizuar apo janë tërhequr tërësisht… Në qoftë se partia është e interesuar dhe e ka seriozisht që të ofrojë kapacitete, dhe me ato kapacitete të ofrojë edhe, të shihet si alternativë, atëherë po. Por nëse është vetëm për t’i rehatuar grupimet e caktuara, nuk e besoj që i bën diçka mirë Partisë Demokratike. E tash, a ka nevojë edhe lidershipi? Shiko, tashti varet, gjithmonë duhet të shihet rezultati i zgjedhjeve. Ai është matësi kryesor për një parti. Dhe në qoftë se nuk është arritur rezultati i cili është dashur të arrihet, në qoftë se nuk ka brenda partisë elan, në qoftë se nuk ka, partia nuk ka arritur që t’i artikulojë dhe t’i përçojë mesazhet te qytetari, e që bëhet përmes liderit të partisë, atëherë pse jo”, thekson ai.
PDK në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka marrë 20.38 për qind të votave, ndërkaq AAK-ja 5.50 për qind.

