Të paktën dhjetë persona janë vrarë, përfshirë autoren e të shtënave, një grua, e cila hapi zjarr në një shkollë në British Columbia të Kanadasë, ndërsa dy persona të tjerë u gjetën të vdekur në një shtëpi që autoritetet kanadeze besojnë se është e lidhur me sulmin.
Të shtënat në shkollën e mesme Tumbler Ridge lanë më shumë se 25 persona të plagosur, si dhe dy me plagë kërcënuese për jetën, sipas policisë kanadeze.
“Gjashtë persona të tjerë, duke mos përfshirë të dyshuaren, janë gjetur të vdekur brenda shkollës. Dy viktima janë transportuar me helikopter në spital me lëndime serioze ose kërcënuese për jetën. Një viktimë e tretë vdiq gjatë transportimit në spital”, tha RCMP në një deklaratë.
Duke folur për gazetarët, Ken Floyd, tha se hetuesit e dinin identitetin e autorit të të shtënave, por nuk do të publikonte një emër, megjithatë arsyeja e të shtënave mbetet e paqartë.
“Nuk jemi në gjendje të kuptojmë pse ose çfarë mund të ketë motivuar këtë tragjedi”, tha Floyd.
Floyd shtoi se policia ende po heton se si viktimat janë të lidhura me autorin e sulmit.
“Si pjesë e reagimit fillestar ndaj të shtënave aktive, policia hyri në shkollë për të gjetur kërcënimin. Gjatë kontrollit, oficerët gjetën viktima të shumta. Një individ që besohet të jetë autori i sulmit u gjet gjithashtu i vdekur me atë që duket të jetë një lëndim i vetëshkaktuar”, tha RCMP në një deklaratë.
Kryeministri kanadez Mark Carney shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe deklaroi se qeveria “është në kontakt të ngushtë me autoritetet kompetente, për të siguruar që komuniteti të mbështetet plotësisht sa më mirë që të jetë e mundur”.

