Hën. Shk 2nd, 2026

Rajon-Maqedoni e Veriut: Themelohet Këshilli Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, Mickoski: Hetohen 50 lëndë të korrupsionit të lartë

“Sot po vendosim themelet e një sistemi në të cilin drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë; në të cilin lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore; dhe në të cilin institucionet punojnë në interes të qytetarëve, e jo në mbrojtje të individëve. Angazhimi ynë për luftë kundër korrupsionit dhe krimit është i qartë, por kjo luftë duhet të përfundojë me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk guxon të shpërblehet. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski në hapje të seancës konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë.

Ky organ, tha kryeministri, nuk është formalitet, por një mesazh i qartë dhe i padiskutueshëm se shteti më në fund qëndron fuqishëm, sistematikisht dhe pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kjo Qeveri e ka nisur luftën kundër krimit dhe korrupsionit jo me deklarata, por me vepra. Aktualisht janë në përpunim mbi 50 raste për korrupsion të lartë – raste që për vite me radhë janë fshehur, zvarritur ose injoruar. Por ky nuk është fundi, është fillimi. Presim hapjen e rasteve të reja, hetime të thelluara dhe rezultate që do ta rikthejnë besimin e qytetarëve në shtet dhe në institucione. Dua ta them qartë dhe me zë të lartë: nuk ka drejtësi selektive, nuk ka të mbrojtur, nuk ka të paprekshëm”, theksoi Mickoski.

Megjithatë, siç nënvizoi ai, që kjo luftë të jetë e suksesshme, është e domosdoshme forcimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë, në aspekt institucional, kadrovik dhe funksional, sepse “vetëm një gjyqësor dhe prokurori e fortë, e pavarur dhe profesionale mund ta çojnë këtë luftë deri në fund dhe të sigurojnë që drejtësia të mos jetë as e ngadaltë, as selektive, por efikase dhe e drejtë”.

“Jam për masa të përforcuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë nuk përfundon me procedura penale. Ajo duhet të përmbyllet me konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk duhet të shpërblehet. E vjedhura duhet t’i kthehet popullit. Pikërisht për këtë arsye i vendosim këta mekanizma dhe sot e konstituojmë këtë Këshill. Konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve të paligjshme nuk është hap i thjeshtë; është një proces shumëdimensional dhe kompleks, që përfshin disa faza të ndërlidhura, ku marrin pjesë institucione të shumta me kompetenca dhe përgjegjësi të qarta”, tha kryeministri.

Sipas tij, Strategjia për periudhën 2025–2028, duke ndjekur fazat e procedurës për kthimin e pasurisë, përcakton qartë tri fusha prioritare veprimi: Së pari, gjetja, identifikimi dhe ndjekja e pasurisë dhe përfitimeve të fituara në mënyrë të paligjshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mekanizmave bashkëkohorë të hetimit financiar. Së dyti, sigurimi i përkohshëm dhe konfiskimi i pasurisë dhe përfitimeve, në mënyrë të shpejtë, efikase dhe në përputhje me ligjin, pa hapësirë për manipulime, zvarritje apo keqpërdorime. Së treti, menaxhimi efikas i pasurisë së konfiskuar dhe të sekuestruar, përfshirë ripërdorimin e saj për qëllime sociale, sepse pasuria kriminale e konfiskuar duhet të marrë një vlerë të re shoqërore dhe t’u kthehet qytetarëve. Ky Këshill, nën udhëheqjen e zëvendëskryeministrit përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, ka rol kyç në koordinimin, mbikëqyrjen dhe orientimin strategjik të të gjitha këtyre proceseve”.

“Pres nga ju profesionalizëm, guxim dhe integritet, por mbi të gjitha rezultate. Sot po vendosim themelet e një sistemi ku drejtësia nuk është deklaratë, por praktikë; ku lufta kundër korrupsionit nuk është slogan politik, por politikë shtetërore; dhe ku institucionet punojnë në interes të qytetarëve, e jo për mbrojtjen e individëve. Kjo është luftë për shtetin e së drejtës, kjo është betejë për besimin, kjo është luftë për dinjitetin e qytetarëve dhe ne nuk do të heqim dorë nga kjo betejë”, deklaroi Mickoski.

Zëvendëskryeministri përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, tha se kjo seancë konstituive e Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë përfaqëson një pikë kthese në trajtimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky Këshill nuk është krijuar për të shtuar edhe një strukturë tjetër, por për të vendosur drejtim politik dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional atje ku zbatimi ka qenë i fragmentuar. Formimi i këtij Këshilli në shtator të vitit 2025 dhe seanca e sotme janë përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një orientimi të qartë institucional – procesi normativ ekziston, por nevojiten rezultate konkrete dhe të forta, gjë që kërkon koordinim të fuqishëm dhe mbikëqyrje të vazhdueshme politike”, tha Fetai.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *