Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka sqaruar se segmenti i rrugës “Mon Balaj”, në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, nuk është në kompetencë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për mirëmbajtje.
Sipas tij, MMPHI-së është plotësisht e përgatitur dhe përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve që janë nën kompetencën e saj, veçanërisht gjatë sezonit dimëror, shkruan IndeksOnline.
Ai bëri të ditur se me fillimin e reshjeve të borës, ekipet e ministrisë janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët që mirëmbahen nga MMPHI-ja, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt.
“Nuk është e vërtetë se segmenti i rrugës ‘Mon Balaj’, në ‘Kodrën e Trimave’, është në përgjegjësi të MMPHI-së për mirëmbajtje. Siç e kemi theksuar edhe më parë, jemi të përgatitur dhe plotësisht të përgjegjshëm për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të ministrisë gjatë sezonit dimëror. Mbrëmë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet tona janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë tonë, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt dhe të papenguar.
Sqarojmë se MMPHI-ja nuk e ka në kompetencë mirëmbajtjen e segmentit të rrugës ‘Mon Balaj’. Ky segment është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila edhe ka ndërhyrë në këtë pjesë të rrugës duke vendosur pengesa”, ka thënë Durmishi.
Ndërsa ka shtuar se kompetenca e MMPHI-së përfshin segmentin rrugor nga Bernica në drejtim të Komunës së Podujevës, segment nga i cili edhe ka filluar realizimi i projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë

