Hën. Jan 19th, 2026

28 komuna në rinumërim, shkak manipulimet

Gjatë ditës së sotme nga KQZ thuhet se kanë pranuar raport nga procesi i deritashëm i rinumërimit të vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Republikës së Kosovës që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Më tutje thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vetëiniciativë, ka zhvilluar procesin e verifikimit të rezultateve zgjedhore nga disa vendvotime dhe pas kësaj ka marrë vendim për rinumërimin e fletëvotimeve në 914 vendvotime.

Sipas vendimit të KQZ-së, të datës 13 janar, në 10 komuna do të bëhet rinumërimi i të gjitha vendvotimeve, ndërkaq për 28 të tjera vetëm nga 10% të vendvotimeve. Ky proces është në zhvillim e sipër.

Veprimi i KQZ-së është ndërmarrë me qëllim të garantimit të saktësisë së rezultateve zgjedhore dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të regjistrohet dhe të reflektohet në mënyrë të saktë, ashtu siç është shprehur prej tyre në fletëvotime.

KQZ-ja, në përmbushje të mandatit të saj kushtetues dhe ligjor, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, në transparencë dhe në ruajtjen e besimit të publikut në procesin zgjedhor.

Për të qenë plotësisht transparent në këtë proces, rezultati i çdo vendvotimi të rinumëruar është pasqyruar në platfomën e KQZ-së për rezultate.

Siq theksohet nga kyesuesi në fillim, gjatë ditës së sotme, kanë pranuar një raport pas rinumërimit të më shumë se gjysmës së vendvotimeve sipas vendimit të datës 13 janar.

“Sipas raportit, kur flasim për votat e subjekteve politike, ndryshimet e identifikura janë minimale dhe pothuaje të papërfillshme. Kjo do të thotë se rezultatet e subjekteve janë numëruar dhe paraqitur saktë” thuhet tutje.

Për dallim nga votat për subjektet politike, të dhënat për kandidatët pas rinumërimit, paraqesin një shkallë të lartë të pasaktësive në numërim.

Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN.

Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi.

Analiza numerike e veçon komunën e Prizrenit si rastin më ekstrem. Pas rinumërimit në QNR të Komunës së Prizrenit janë zbritur nga rezultati 29,343 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN të Prizrenit. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 16,366 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në këtë QKN.

Megjithatë, në komunat tjera të rinumëruara nuk vërehen dallime të mëdha në votat e kandidatëve. Ndryshimet përfshijnë gabimet eventuale të regjistrimit të votave të kandidatëve dhe shtimin e votave si rezultat i rivlerësimit të fletëvotimeve të pavlefshme, por në vendvotime të caktuara janë evidente ndryshime me të mëdha te disa kandidatë.

Sot, para mbledhjes së KQZ-së, ky raport është diskutuar në mbledhjen e Këshillit për operacione zgjedhore, nga ku kanë dalë dy rekomandime kryesore:

1. Rinumërimi i të gjitha vendvotimeve edhe për 28 komunat e tjera;

2. Ndërprerjen e mandatit për përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit.

Në fund, në emër të KQZ-së, ritheksohet se gjetjet nga procesi i rinuëmrimit do t’i adresohen në prokurorinë e shtetit dhe në të njëjtën kohë ofrohet bashkëpunim i plotë institucional në procesin hetimor.

Andaj, kryesuesi ka ftuar të gjithë anëtarët që të miratojnë raportin nga procesi i rinumërimit dhe dy rekomandimet që kanë dalë nga mbledhja e Këshillit për operacione zgjedhore.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *