Hën. Jan 19th, 2026

Iu “avulluan” mijëra vota, reagon Kujtim Gashi: Distancohem nga kjo praktikë!

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Kujtim Gashi, ka reaguar përmes një postimi në facebook lidhur me procesin zgjedhor dhe zhvillimet gjatë rinumërimit të votave, duke vënë theksin te rëndësia e ruajtjes së dinjitetit dhe besimit në demokraci.

Gashi theksoi se pavarësisht rëndësisë që ka rezultati zgjedhor, mbi të gjitha qëndron integriteti personal, politik dhe institucional. Ai shpreh shqetësimin për ndryshimet e vërejtura gjatë rinumërimit të votave, duke nënvizuar se distancohet plotësisht nga çdo veprim apo praktikë që mund të cenojë integritetin e procesit zgjedhor, shkruan IndeksOnline.

“Mbi çdo rezultat zgjedhor qëndron ruajtja e dinjitetit personal, politik dhe institucional. Rezultati ka rëndësinë e vet, por besimi në demokraci është themeli i çdo procesi të drejtë.

Si kandidat, kam ndjekur me shqetësim ndryshimet e vërejtura gjatë rinumërimit të votave, duke theksuar njëkohësisht se distancohem plotësisht nga çdo veprim apo praktikë që cenon integritetin e procesit zgjedhor. Çdo paqartësi dëmton besimin e qytetarëve dhe kërkon sqarim të plotë institucional”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, vetëm përmes sqarimit të plotë të çdo dileme dhe respektimit të vullnetit të votuesve deri në numërimin e kutisë së fundit mund të forcohet demokracia në vend.

“Kërkimi i transparencës dhe llogaridhënies është detyrim qytetar. Vetëm përmes sqarimit të plotë dhe respektimit të vullnetit të votuesit mund të forcojmë demokracinë dhe të heqim çdo dilemë deri në numërimin e kutisë së fundit.

Unë do të vazhdoj të qëndroj në anën e dinjitetit, drejtësisë dhe demokracisë, me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve. Sepse politika nuk është vetëm rezultat, por edhe shembull”, ka shkruar Gashi

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *