Policia e Sarandës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Green flat”, dhe ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në Sarandë.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 260 bimë narkotike, 26.6 kg lëndë narkotike kanabis, pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin dhe përpunimin e bimëve narkotike, me qëllim shitjen, raporton Euronewsalbania.
Lidhur me këtë veprimtari të paligjshme u vu në pranga 30-vjeçari Enea Pitani, i cili u kap në flagrancë nga shërbimet e policisë, në apartamentin që kishte përshtatur për këtë veprimtari kriminale si dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij Mikele Qamil.
Gjithashtu u proceduan penalisht për shpërdorim detyre 4 punonjësit e OSHEE-së Sarandë, shtetasit H. A., 54 vjeç, H. C., 34 vjeç, E. P., 47 vjeç dhe F. H., 32 vjeç.

