Ndërsa vendi po i afrohet zgjedhjeve të 28 dhjetorit, të gjitha partitë politike kanë intensifikuar angazhimin e tyre në terren për të siguruar votat për të udhëhequr me Qeverinë në katër vitet e ardhshme.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se po i hyjnë garës zgjedhore të mobilizuar për të dalë fitues në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas tij, është në interes të Kosovës që kandidati i tyre për kryeministër Bedri Hamza të udhëheq me Qeverinë. Ai tha se nuk kanë vija të kuqe për bashkëpunim mes subjekteve politike, por ka preferenca.
“Pra ne synojmë që së bashku me LDK-në, AAK-në dhe partitë e tjera shqiptare dhe të komunitetit jo serb ta krijojmë qeverinë e ardhshme pas 28 dhjetorit’’, tha Behrami për rtv21
Të gatshëm për zgjedhje janë deklaruar edhe në LDK. Deputeti i këtij subjekti politik, Alban Zogaj, tha se partia e tij synon ta formojë Qeverinë e re me kryeministër Lumir Abdixhiku.
‘’Ne po hyjmë në zgjedhje për t’i fituar zgjedhjet, ne po hyjmë në zgjedhje për të ofruar programin tonë politik dhe jemi të bindur që qeverisja e re do të udhëhiqet nga LDK-ja dhe kandidati jonë për kryeministër, Lumir Abdixhiku”, Zogaj.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se kanë pritshmëri për fitore në këto zgjedhje. Ndonëse e konfirmoi se janë të hapur për bashkëpunim midis subjekteve politike për formimin e Qeverisë së re, por tha se janë shterrur mundësitë që të në të ardhmën të ofrojnë bashkëpunim me LDK-në dhe partitë e tjera .
‘’Tashmë këto mundësi janë shterrë për shkak se një ofertë e kemi pasur gjatë muajve të bllokadës. Pritshmëritë tona janë të mira nga zgjedhjet dhe presim të korrim një fitore të madhe. Nuk do të kemi vështërsi rreth formimit të Qeverisë”, u shpreh Abrashi.
Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha për rtv21 se subjekti që ajo përfaqëson do të jetë befasi e zgjedhjeve të 28 dhjetorit duke arritur sukses të madh i cili do të t’i zhgënjej, sipas saj, të gjithë ata që pretendojnë se AAK-ja nuk e kalon pragun zgjedhor.
‘’AAK-ja është e konsiliduar dhe mirë e organizuar, ju i keni parë edhe rezultatet që kemi pasur në zgjedhjet lokale. Më vjen keq për pretendimet se AAK-ja nuk do ta kalojë pragun zgjedhor se do të zhgënjehen sepse AAK-ja do të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve e cila do të arrijë rezultat dy shifror”., tha Kadriaj.
Në garë për zgjedhjet e 28 dhjetorit është e Nisma Socialdemokrate përfaqësuesit e të cilës nuk preferuan të flasin gjatë ditës.

