Pre. Nën 14th, 2025

Nëna e serbit nga Kosova që dyshohet u plagos e u rrëmbye nga xhandarmëria serbe, kërkon ndihmë nga EULEX- i dhe KFOR – i

Nga Leposaviqi erdhi në Prishtinë mëngjesin e së enjtes.

Nëna e Millan Vukashinoviq, serbit nga Kosova i cili dyshohet u plagos dhe më par u rrëmbye nga xhandarmëria serbe, erdhi në selinë e EULEX-it për të kërkuar ndihmë për të birin e saj.

Në një deklaratë për Tëvë1, nëna e Vukashinoviqit tha nuk ka fare besim në institucionet në Beograd, andaj po kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët.

“Kam ardhur të kërkoj ndihmë nga EULEX-i, nëse mund të më takojnë, të më marrin birin tim sepse nuk kam besim në institucionet e Serbisë. Dita e 13-të dhe unë ose nuk marr informata, ose i marr informatat që janë kontradiktore. Vizitat nuk janë të lejuara, nuk e kam parë që 13 ditë, nuk më lejojnë as mua, as avokatin”, u shpreh ajo.

Ajo shkon edhe më tutje, duke aluduar se i biri nuk është fare duke u trajtuar në spitalin e Nishit.

“Nuk kam besim se është duke u shëruar atje, kam frikë nga më e keqja. Për këtë arsye kam ardhur të kërkoj ndihmë nga EULEX-i dhe KFOR-i. Nuk e di, sepse çdo ditë më japin informata më ndryshe. Çdo ditë ndryshojnë. Ditën e 9të më kanë thënë se duhet operim në nyjën e këmbës. Në fillim as nuk e kanë përmendur”, tha ajo.

E në një përgjigje për Tëvë1, EULEX ka konfirmuar se janë duke e monitoruar rastin.

Sipas zëdhënëses, Nicolle Miller, EULEX është i gatshëm të lehtësoi shkëmbimin e informacioneve midis Serbisë dhe Kosovës nëse i kërkohet nga institucionet e vendit.

“Në përputhje me mandatin tonë aktual, EULEX-i po e monitoron këtë rast. Për më tepër, EULEX-i është i gatshëm të mbështesë hetimin duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit policor midis Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë, nëse një ndihmë e tillë kërkohet nga institucionet përkatëse të Kosovës që mbajnë përgjegjësinë për të hetuar rastin në mënyrë efektive dhe të paanshme”, u tha ajo.

Më 1 nëntor, Millan Vukashinoviq shkoi për të blerë mjaltë nga një shok i tij, ku më pas dyshohet se xhandarmëria serbe plagosi dhe më pas e rrëmbeu pesë metra brenda territorit të Kosovës në pikën zero të fshatit Jellackë të komunës së Leposaviqit.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *