Pas njoftimit se më 12 nëntor 2025, dosja gjyqësore do i kalojë trupit gjykues për gjykim në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është caktuar edhe gjyqtari i vetëm për këtë rast.
Sipas vendimit të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjyqtari i caktuar është Christopher Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gosnell do të jetë gjyqtari i vetëm në këtë rast për shkak se akuzat në këtë rast nuk klasifikohen si krime të rënda.
Ndryshe, më 11 nëntor 2025 gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot njoftoi që dosja gjyqësore t’i dorëzohet trupit gjykues më 12 nëntor 2025.
“Pasi ka përfunduar të gjitha hapat e nevojshëm brenda juridiksionit të saj në çështjen e prokurorit të specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, gjyqtarja e procedurës paraprake konfirmon se dosja e plotë e çështjes, në përputhje me Rregullën 98 të rregullave, do të jetë gati për t’ia përcjellë panelit gjyqësor të mërkurën, më 12 nëntor 2025 dhe e njofton për këtë kryetaren e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si edhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

