Mër. Nën 12th, 2025

“Presion pozitiv mbi partitë politike”, Hoti i reagon Osmani: Po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik

Ish-kryeministri, tani deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka konsideruar për keqardhje deklaratën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

“Deklarimi i sotëm i të parës së shtetit lidhur me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës është për keqardhje. Ajo e di se për tu shqyrtuar ato çështje në Kuvendin e Kosovës duhet detyrimisht të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se Osmani i është bashkuar aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike.

“Duke qenë se e di këtë, që është e kuptueshme për secilin, ajo po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Bile i fton edhe mediat që të bëjnë presion tek partitë politike. Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit. Në anën tjetër, ajo e ka aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e thotë qartë se anëtarët e qeverisë të betuar si deputetë janë duke mbajtur postet qeveritare në mënyrë joligjore. Për këtë nuk e thotë asnjë fjalë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve. Kaq për moralin politik të saj. Mjerim”, ka shkruar Hoti.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *