Hën. Dhj 1st, 2025

77-vjeçari mbahet në paraburgim në Serbi, familja thirrje institucioneve të Kosovës: Është në gjendje të rëndë psikologjike

U arrestua në mënyrë arbitrare nga autoritet serbe në Merdarë, por që nga 8 shtatori i këtij viti (2025) 77-vjeçari Haziri Haziri po mbahet në burgun e Serbisë mbi pretendimet gjoja për krime lufte në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999.

Me ç’rast familja e tij po kërkojnë ndihmën e institucioneve të shtetit që ta ndihmojnë për ta kthyer në Kosovë, duke theksuar se ai nuk është në gjendje e tij psikologjike është e rënduar. emocionale

Vajza e tij, Kaltrina Haziri tregon për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online se babai i saj ishte ndaluar në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shpjegim.

“Fillimisht ai është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë për disa orë e më pas është transferuar në një nga qendrat e paraburgimit në Beograd me një masë ndalese prej 48 orësh. I është ngritur një aktakuzë për krime lufte në Kosovë me 1999 me një masë paraburgimi prej 30 ditësh”, tregon vajza e Hazirit.

Ajo thotë ta kenë vizituar të atin, meqenëse komunikimi përmes telefonit nuk i është lejuar. Derisa tregon për gjendjen e tij shëndetësore thotë se nuk ka asnjë lidhje me akuzat.

“Ne e kemi vizituar disa herë personalisht sepse komunikimi me telefon nuk i është mundësuar. Gjendja e tij psikologjike është e rënduar dhe emocionalisht po e përjeton shumë rëndë sidomos duke pasë parasysh moshën e tij. Ai nuk ka asnjë lidhje me akuzat dhe këtë e ka vërtetuar dhe avokati që ne e kemi angazhuar, pra i kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore dhe ai është duke u mbajtur pa asnjë provë, evidencë dhe dëshmi tash e tre muaj”, tha ajo.

Sa i përket institucioneve ajo tregon se komunikim kanë pasë vetëm me përfaqësuesin e zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

Ajo ka një thirrje për institucionet e Kosovës.

“Thirrja jonë është shumë e qartë. Kërkojmë që institucionet e Kosovës të bëjnë gjithçka të mundur për lirimin sa më të shpejtë të babait tonë”, tha ajo

Ndërkohë që një ditë më parë Serbia ka arrestuar edhe një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Avni Qenaj.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se pasi ka marrë informacionin për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga Serbia i është drejtuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë me kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet e ndalimit dhe vendndodhjen aktuale të tij.

MPJD tha se po ashtu për këtë rast e ka njoftuar delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi “duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra”.

“Gjithashtu është dërguar tashmë notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, tha MPJD.

Postime të Ngjashme

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *