Sportistët dhe trajnerët kosovarë që fituan medalje në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do të përfitojnë gjithsej 70,500 euro mbështetje financiare.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i cili tha se sot ka aprovuar mbështetjen financiare për rezultatet e arritura në këtë ngjarje.
Sipas Gashanit, shuma është përcaktuar në bazë të medaljeve të fituara. Për medaljen e artë parashihen 10 mijë euro për sportistin dhe 5 mijë euro për trajnerin, ndërsa për medaljen e argjendtë 5 mijë euro për sportistin dhe 2,500 euro për trajnerin.
Për medaljen e bronztë, sportisti do të përfitojë 3 mijë euro, ndërsa trajneri 1,500 euro.
Gashani theksoi se kjo mbështetje synon të vlerësojë rezultatet e sportistëve dhe trajnerëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
“Sportistët tanë, përmes punës, disiplinës dhe rezultateve të tyre, vazhdojnë ta përfaqësojnë denjësisht Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Gashani.
Ai shtoi se institucionet duhet të vazhdojnë të mbështesin rezultatet e larta sportive, duke krijuar kushte dhe mundësi më të mira për sportistët dhe trajnerët.
Në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, Kosova u përfaqësua me 163 sportistë në 21 sporte.
KosovaPress

