Në rigjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”, të hënën është dëgjuar Argjend Zejnaj, ish-shef i kabinetit të ish-ministrit të Infrastrukturës- tani të akuzuarit Lekaj. Zejnaj deklaroi se u ishte kërkuar nga Zyra e Kryeministrit që ishte e nevojshme të përpilohet opinioni ligjor dhe më pas ishte njoftuar drejtori i Departamentit Ligjor në MI, Avdi Kamerolli.
Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Zejnaj tha se me sa i kujtohet, përpilimi i opinionit ligjor u kërkua të bëhet brenda afatit 24 orësh.
Sipas tij, lidhur me çfarëdo mungese apo dokumenti që nuk e ka poseduar drejtori i Departamentit Ligjor, janë udhëzuar departamentet përkatëse të MI-së, që ta ndihmojnë me çdo dokument të nevojshëm.
Po ashtu, dëshmitari tha se i akuzuari Eset Berisha në cilësinë e këshilltarit politik, nuk ka pasur kompetencë ekzekutive dhe administrative.
Ndërsa, në pyetjen e prokurorit special Atdhe Dema, se për çka është kërkuar opinioni ligjor, Zejnaj tha se ka qenë përkitazi me temën e 53 milionë eurove.
I pyetur nëse ka qenë në dijeni për kompaninë mbikëqyrëse të kontratës “Hill International”, për autostradën në vlerë prej 600 milionë euro, kompani kjo sipas tij e paguar me mijëra euro për dhënien e opinioneve, dëshmitari tha se nuk ka njohuri për këtë dhe qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimin e mëparshëm.
Dëshmitari Zejnaj dekaroi se edhe Komiteti Ndërministror ka qenë në dijeni për lartësinë e kërkesës së Bechtel & Enkës, pasi që kjo e fundit kërkesën e 63 milionë euro e ka paraqitur vetë para Komitetit Ndërministror.
Ndër tjerash, Zejnaj tha se ka pasur diskutime nga anëtarët e Komitetit Ndërministror për zvogëlimin e kërkesës së operatorit Bechtel & Enka.
Në këtë seancë, kryetarja e trupi gjykues, Violeta Namani-Hajra, tha se sipas detyrës zyrtare do të angazhojë ekspertizë financiare sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Pal Lekaj, avokati Artan Qerkini tha se i kanë identifikuar edhe çështje tjera për të cilat duhet të angazhohet eksperti financiar.
Në anën tjetër, prokurori Dema tha se Gjykata e Apelit, në mënyrë të qartë ka potencuar detyrat e ekspertit financiar.
Ndërsa, trupi gjykues konstatoi se do të angazhohet grupi i ekspertëve i cili do të ofrojë përgjigjet sipas kërkesave të mbrojtjes dhe rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.
Seanca do të vazhdojë në sesionin e pasdites, me dëgjimin e dëshmitarit Valdrin Lluka, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama ka refuzuar kërkesën për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra nga gjykimi i rastit të njohur si “53-milionëshi”, kërkesë kjo e parashtruar nga i akuzuari Eset Berisha.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 janar 2024 i shpalli fajtorë dhe i dënoi me 10 vjet e 3 muaj burigm (së bashku): Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Sipas aktgjykimit të Themelores, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata shpalli edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.
Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, kurse Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tyre u shpall edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Ndërsa, Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj Berishës u shpall edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.
“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me përmbajtjen e vendimi të plotë të përpiluar nga Themelorja në Prishtinë, duke publikuar gjetjet e gjykatës nga mbrojtja e të akuzuarve dhe gjetjet nga deklaratat e dëshmitarëve. Po ashtu, edhe për gjetjet e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

