Abedin Rexha, i njohur me nofkën “Sandokani”, ishte një nga luftëtarët më të shquar të UÇK-së. Ai u lind më 8 korrik 1969 në Vajnik të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skenderaj, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin Xehetar-Metalurgjik në Mitrovicë.
Në fillim të gushtit 1998, Rexha u caktua komandant i Brigadës 112 “Arben Haliti” në Zonën Operative të Drenicës. Gjatë muajve në vijim mori pjesë në disa luftime në këtë zonë.
Më 8 tetor 1998, Abedin Rexha u vra në pyjet e Kllodernicës së Skenderajt.
Ai la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Selveten. Emri i tij është përkujtuar në shkrime, këngë e poezi, ndërsa shkolla e Turiçecit mban emrin e tij.

