Mër. Pri 1st, 2026

Prill 2026

Kurti thotë se mirënjohja dhe krenaria për “Dardanët” do të jetë përherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas humbjes së përfaqësueses së Kosovës dhe moskualifikimit në Kupën e Botës, duke shprehur zhgënjimin, por edhe krenarinë për ekipin kombëtar.

Në një postim, Kurti u shpreh se të gjithë janë ende e pikëlluar nga rezultati i ndeshjes së zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke theksuar emocionet e forta që ka përjetuar vendi.

Ai theksoi se, ndonëse ekziston një ndjenjë kolektive “çfarë do të kishte ndodhur sikur…”, dëshira për një rezultat tjetër ishte e përbashkët si për tifozët ashtu edhe për lojtarët.

“Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të gjithë jemi ende të pikëlluar dhe të mërzitur nga ndeshja e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Tash na vlon meraku kolektiv: do të mund të bëhej kështu sikur t’ia kishim bërë ashtu, ky apo ai, ose që të dy… E di që kemi dëshiruar një lojë ndryshe e rezultat tjetër, se i tërë kombi donte fitore, por edhe djelmoshat tanë e meritonin gjithashtu.

Por le të mos harrojmë që përfaqësuesja jonë na ka dhënë emocione të jashtëzakonshme duke na bërë krenarë aq shumë sa t’u jemi mirënjohës përgjithmonë e përkrah përherë. Fakti që ishim kaq pranë kualifikimit tregon sa afër madhështisë jemi. Dhe shpejt, aty do të jemi.

Andaj edhe sot e çdo ditë tjetër, forca Kosovë! Faleminderit të gjithë lojtarëve, trajnerit dhe stafit për angazhimin e madh në secilën ndeshje.

Aksident i rëndë në Prizren

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje në Prizren, ku një veturë ka goditur një tjetër, duke pësuar një shofer.

Shkaktari i aksidentit u arrestua nga policia, teksa rezultoi se ishte duke e drejtuar automjetin nën ndikim të alkoolit.

“Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti, pas pranimit të tretmanit mjekësor në Spitalin e Prizrenit, është dërguar në QKUK për tretman te mëtutjeshëm” thuhet në raportin policor.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari u dërgua në mbajtje.

Rasti po hetohet nga njësitet relevante.

27 vjet nga masakra në Gjakovë dhe Lybeniq të Pejës

Mbi 60 shqiptarë të lagjes së I-rë në Gjakovë janë masakruar nga forcat serbe, në mesnatën e 1 dhe 2 prillit të vitit 1999.

Në atë lagje u qëlluan dhe u dogjën të gjallë burra, gra e fëmijë. Flaka që dilte nga shtëpia e familjes Vejsa tronditi të gjithë banorët e qytetit. Krismat e automatikëve nuk kishin të ndalur. Shtëpia digjej bashkë me trupat e njerëzve të gjallë e të vrarë.

Njëzetë vetë të familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi të strehuar në shtëpinë e Lulzimit u ngjitën në qiell bashkë me flakën që dogji trupat e tyre për ta sjellë dritën e lirisë.

Nga ana tjetër u vranë dhe u dogjën bashkë me shtëpitë edhe të katër anëtarët e familjes Cana dhe katër nga familja Gërçari.

Ndërsa po në këtë vit, më 1 prill, në fshatin Lubeniq të Pejës në orët e hershme të mëngjesit, formacionet ushtarake, policore, militare dhe paramilitare e kishin rrethuar në të gjitha anët këtë fshat i cili shtrihet rrëzë Alpeve Shqiptare dhe në mes të fshatit Raushiq dhe Strellc, ku vranë shumë persona. /kp/

Abrashi: LVV s’i ka votat për presidentin, opozita po e mban peng procesin

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar afatin për zgjedhjen e presidentit të vendit, partitë politike nuk kanë arritur ende një marrëveshje konkrete për këtë çështje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi në një intervistë për Ekonomia Online, ka deklaruar se subjekti i tij nuk i ka numrat për ta zgjedhur si të vetëm presidentin e Kosovës, duke theksuar se zgjidhja e kësaj çështjeje kërkon marrëveshje me partitë opozitare.

Abrashi, u shpreh se LVV nuk ka mundësi për ta zgjedhur vet presidentin, duke shtuar se vullneti i tyre për të gjetur një kompromis ekziston.

“Po, tashmë edhe me anulimin e dekretit, të cilin pati tentativë për me e shpërnda në kundërshtim me Kushtetutën Kuvendin e Republikës së Kosovës, është kthyer tashmë rrjedha normale e funksionimit të Kuvendit. Kryesia e Kuvendit tashmë ka caktuar seancën e rregullt, e cila do të mbahet të enjten, do të thotë pasnesër. Në kuadër të asaj seance janë paraparë pikat e rregullta, në këtë rast janë disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat tashmë ne duhet t’i votojmë si Kuvend i Kosovës. Sa i përket çështjes së Presidentit, natyrisht kjo çështje mbetet ende e hapur. Si Vetëvendosje, po e them edhe njëherë, ne kemi vullnetin dhe gatishmërinë që të gjejmë një kompromis sa i përket kësaj çështjeje, sepse rezultati nga zgjedhjet e fundit neve na ka dhënë mundësinë që me e kryer konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, mirëpo jo për ta zgjedhur vet”, tha ai.

Abrashi thotë se opozita po e mban peng çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Pra, çka po dua të them është se ne jemi të detyruar të ulemi të diskutojmë me partitë opozitare, të cilat fatkeqësisht për arsye të tyre po e mbajnë peng çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Prandaj, krejt kjo do të varet gjatë takimeve që do t’i kemi në ditët në vijim me përfaqësuesit e partive opozitare dhe uroj që do të reflektojnë pozitivisht dhe Kosova ta tejkalojë këtë krizë të panevojshme, e cila ka rrezik që të na çojë në zgjedhje, prapë po them të panevojshme”, u shpreh Abrashi.

Kurse, sa i përket paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurti për ftesa ndaj partive opozitare, Abrashi tha se janë të hapur për emra të kandidatëve të rinj për president.

“Janë tema të hapura, gjithçka është e mundur. Ne nuk është se kemi ndonjë pozicion kështu këmbëngulës. Natyrisht, do të donim që propozimet tona të merreshin parasysh, por se duhet t’i dëgjojmë edhe ata se çka thonë njëherë. Deri më tani nuk kemi parë vullnet konstruktiv, fatkeqësisht, për me e tejkalua këtë krizë nga ana e partive opozitare, por urojmë që kjo çështje do të ndryshojë në këto ditë dhe se do të reflektojnë pozitivisht”, theksoi ai.

Ai shtoi se është herët për të folur për qëndrime konkrete lidhur me emrat e mundshëm për president që PDK pati thënë se kandidati duhet të jetë nga ky subjekt.

“Po, është herët të flasim për këtë çështje, meqenëse nuk kanë ndodhur takimet. Këto diskutime do të bëhen në momentin kur përfaqësuesit e të dy subjekteve do të takohen dhe se pastaj, konform këtyre takimeve, do ta shohim se si do të reflektojë kjo në grupet respektive parlamentare që i kemi, pra si deputetë. Por, çka mund të them është se jemi të gatshëm të ulemi, të diskutojmë dhe të gjejmë një zgjidhje. Kjo është ajo çka i përket anës tonë si Vetëvendosje”, potencon ai.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka propozuar emra konkretë, por mungon përkrahja nga partitë e tjera.

“Tashmë ne kemi emrat, i kemi propozuar. Pra, janë emra të cilët kanë kredibilitet dhe mbështetjen e fuqishme të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, zotëri Konjufca dhe zonja Mulhaxha kanë përkrahjen tonë, por krejt çka duhet është edhe përkrahja e subjekteve të tjera, të cilën fatkeqësisht për momentin nuk e kemi. Por, prapë po them, është herët të paragjykojmë se si do të shkojë rrjedha, sepse krejt kjo varet nga qëndrimet e partive opozitare”, thotë tutje ai.

Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik. Nga Presidenca e Kosovës e mirëpritën vendimin dhe thanë se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet.

Sipas vendimit, pas shpërndarjes ‘ex constitutione’ (shpërndahet në mënyrë automatike në bazë të Kushtetutës) së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Përfundon afati për deklarim të pasurisë, të obliguar ishin mbi 10 mijë zyrtarë

Ka përfunduar procesi i deklarimit të pasurisë në Kosovë.

Deklarimi i pasurisë për zyrtarët publikë u zhvillua në tri faza: me marrjen e detyrës, përfundimin e saj dhe përmes deklarimit të rregullt vjetor për vitin paraprak.

Sipas Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, mbi 10 mijë e 350 zyrtarë ishin të obliguar për deklarimin e rregullt këtë vit.

Autoritetet kanë paralajmëruar se, menjëherë pas përfundimit të afatit, do të nisin procedurat ndëshkuese.

Vitin e kaluar janë shqiptuar mbi 130 gjoba për vonesa, përfshirë edhe ndaj zyrtarëve të lartë.

Agjencia u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve që ta respektojnë afatin, duke theksuar se transparenca mbetet thelbësore për besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Nën organizimin e DIJANET-it të Turqi, në Shkup, u mbajt Samiti i 10-të i kryetarëve të bashkësive islame fetare të shteteve të Ballkanit

Nën organizimin e DIJANET-it të Turqisë, dje, në Shkup, u mbajt Samiti i 10-të i kryetarëve të bashkësive islame fetare të shteteve të Ballkanit, në të cilën morën pjesë myftinjë, kryetarë dhe përfaqësues të institucioneve fetare nga vendet e Ballkanit. Nikoqire e këtij Samiti ishte Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në krye me reisin, Shaqir ef. Fetahu.
Tema boshte e këtij Samiti qe “Roli dhe ndikimi i bashkësive fetare në përforcimin e kulturës dhe bashkëjetesës në vendet e Ballkanit”.
Në ceremoninë hapëse të këtij Samiti, morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore dhe fetare, të cilët u uruan mysafirëve mirëseardhje, si dhe përgëzuan organizatorët për organizimin e këtij Samiti, duke e vlerësuar atë si tejet të qëlluar dhe të nevojshëm për kohën.
I pranishëm nga Kosova në këtë Samit qe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava, i cili mbajti kumtesën e tij me titull “Roli integrues dhe transformues i bashkësive islame në Ballkan në promovimin e paqes së qëndrueshme, dialogut ndërfetar dhe kohezionit shoqëror”.
Ai tha se ky Samit nuk është vetëm një hapësirë diskutimi, por një platformë strategjike për thellimin e dialogut, për shkëmbimin e përvojave institucionale, dhe për ndërtimin e një vizioni të përbashkët mbi sfidat dhe mundësitë që kemi përpara.
Myfiu Tërnava foli edhe për rolin dhe historikun e Ballkanit, duke thënë se ai përfaqëson një hapësirë unike gjeokulturore dhe historike, ku ndër shekuj janë ndërthurur sfida të mëdha, por edhe shumë përvoja të bashkëjetesës.
Duke folur për rolin e bashkësive islame të Ballkanit, ai tha se ato kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të veçantë në ndërtimin dhe ruajtjen e këtij ekuilibri delikat, ndërkulturor dhe ndërfetar. Në këtë mozaik të ndjeshëm dhe të pasur, bashkësitë islame kanë qenë dhe mbeten pjesë përbërëse e identitetit të tij historik, kulturor, fetar dhe etik.
“Fatkeqësisht, edhe sot, kur ne, të nderuar efendilerë, jemi mbledhur në këtë Konferencë këtu në Shkup, për të reflektuar mbi paqen, dialogun dhe bashkëpunimin, në shumë vende të botës vazhdon të mbizotërojë logjika e dhunës dhe jo ajo e arsyes. Jemi dëshmitarë të vrasjeve të fëmijëve, të civilëve të pafajshëm dhe të të moshuarve, si dhe të shkatërrimit të infrastrukturës, pothuajse të çdo gjëje nëpër vende të ndryshme të konflikteve dhe luftërave, e të ndërtuara me mund e sakrificë nga shoqëri të ndryshme njerëzore. Konfliktet dhe luftërat, për fat të keq, mbeten një realitet i hidhur dhe i përhapur në shumë rajone të globit, e në veçanti në Lindjen e Mesme” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava, foli edhe rreth rolit që kanë dhënë shqiptarët në bashkëjetesën ndërmjet besimeve të ndryshme.
“Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e besimtarëve islam në Ballkanin Perëndimor i përkasin popullit shqiptar, vlen të theksohet se shqiptarët, historikisht i takojnë tri besimeve kryesore fetare. Në vazhdimësi, shqiptarët pa dallim besimi, kanë ndërtuar dhe ruajtur një traditë të qëndrueshme të bashkëjetesës ndërfetare. Kjo traditë është karakterizuar nga mungesa e konflikteve mbi baza fetare, nga respekti i ndërsjellë për përkatësinë shpirtërore të tjetrit, dhe nga një kulturë e konsoliduar harmonie dhe mirëkuptimi shoqëror” – pohoi ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava më pas tha se bashkësitë islame në Ballkan mund të jenë ura besimi, ura ndërmjet komuniteteve, ura ndërmjet traditës dhe modernitetit, ura ndërmjet identitetit fetar dhe përgjegjësisë qytetare, ura ndërmjet dallimeve-divergjencave dhe harmonisë.
“Ky mision, i rrënjosur thellë në traditën shpirtërore dhe institucionale, është mishëruar ndër shekuj nga institucionet tona, të cilat me përkushtim kanë kultivuar vlerat e drejtësisë, mëshirës, bashkëjetesës dhe përgjegjësisë shoqërore. Në këtë kuptim, angazhimi ynë i sotëm nuk është thjesht një përgjigje ndaj sfidave bashkëkohore, por një vijimësi organike e një trashëgimie të pasur dhe të qëndrueshme, e cila na obligon të veprojmë me vizion, urtësi dhe përgjegjësi në shërbim të së mirës së përbashkët” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava, në fund të fjalës së tij përmendi edhe qëllimet që duhet të kenë bashkësitë islame, ndër të cilat përmendi: ndërtimi i një kulture të qëndrueshme paqeje. Një paqe, që nuk mbështetet vetëm mbi mungesën e luftës, por mbi praninë e besimit të ndërsjellë. Një paqe, që nuk mbështetet vetëm në marrëveshje formale, por në edukim moral. Një paqe, që nuk mbështetet vetëm në heshtjen e tensioneve, por në shërimin e tyre përmes drejtësisë, respektit dhe urtësisë.