Mër. Pri 1st, 2026

1 Prill, 2026

Aleanca e dezinformimit: Si u amplifikuan pretendimet e rreme të Vuçiqit për takimin Kurti-Macron nga rrjeti rus

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në televizionin “Prva TV” në Beograd, lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Paris, janë amplifikuar gjerësisht nga mediat pro-Kremlinit dhe rrjetet sociale, duke u paraqitur si fakte të mirëqena, pa verifikim të pavarur.

Një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 27 mars 2026, Vuçiq pretendoi se Kurti kishte shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve dhe që NATO të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të shtrihet në veri të vendit.

Vuçiq pretendoi se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.

Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do i mbështesë”.

Këto pretendime të presidentit të Serbisë u kundërshtuan menjëherë nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka. Ai ka thënë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pjesë e një lufte speciale dhe hibride kundër Kosovës.

Sipas Manxhukës, qëllimi i Vuçiqit ishte të tërhiqte vëmendjen e mediave drejt deklaratave të tij në vend se te zhvillimet diplomatike të Kosovës.

“Qëllimi i Vuçiqit ishte që të merren mediet me deklaratën e tij në një lufte speciale e hibride tipike për UDB-në famëkeqe, në vend se me mikpritjen që i bëri presidenti francez, Emannuel Macron, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në këtë vizitë të frytshme me takim e drekë pune dyorëshe.”- ka thënë Manxhuka.

Ai shtoi se kjo qasje synon të zhvendosë fokusin nga avancimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës dhe të minimizojë rëndësinë e angazhimeve diplomatike në nivel të lartë.

Por, mediat ruse të kontrolluara nga Kemlini u kujdesën që deklaratat e paverifikuara të presidentit të Serbisë t’i shumfishojnë dhe t’i ekzagjerojnë edhe më tej, duke i shtyrë narrativat dezinformuese të tyre.

Rrjeti propagandistik rus “Pravda”, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete të botës dhe në dhjetëra gjuhë të ndryshme, i ka kushtuar vemendje të shtuar deklarimit të Vuçiqit.

Në artikullin e publikuar, që për burim ka rrjetin në “Telegram” “balkaner”, e bën si punë të kryer kërkesën e Kurtit për largimin e KFOR-it nga katër komunat veriore.

Ata kujdesen për të çuar përpara narrativën dezinformuese të Kremlinit se në këto komuna ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe se jetësimi i kërkesës së Kurtit nënkupton përndjekje të serbëve.

Por, raporti i BIRN Kosova dhe Internews Kosova argumenton se “Pravda” dhe mediat e tjera të kontrolluara nga Kremlini e kanë shtyrë këtë narrativë edhe në të kaluarën, madje duke tentuar që t’i akuzojnë edhe institucionet ndërkombëtare. Në raportin me titullin “Hartëzimi i Dezinformatave” argumentohet se ky pretendim i mediave të kontrolluara nga Kremlini është i rremë, pasi nuk ka asnjë fakt mbështetës që Qeveria e Kosovës apo KFOR synojnë përndjekjen e serbëve.

Ndërsa, “Russia Today Serbia” ia ka kushtuar katër artikuj deklaratës së Vuçiqit për vizitën e Kurtit në Francë.

Katër artikujt e “Russia Today” ndërtojnë një narrativë të përbashkët ku veprimet dhe deklaratat e Albin Kurtit interpretohen kryesisht përmes qëndrimeve të Aleksandar Vuiçiq dhe analistëve serbë.

Artikulli i parë fokusohet në takimin mes Albin Kurtit dhe Emmanuel Macron, por analiza nuk bazohet në deklarata zyrtare nga pala kosovare apo franceze, përkundrazi, mbështetet kryesisht në interpretimet të analistëve serbë.

Ndërsa, artikulli i dytë me titull “Ku po çon ideja e Kurtit për tërheqjen e KFOR-it?”, theksin e ka të zgjerimi i artikullit të parë, me fokus të veçantë te KFOR, duke tentuar të shtyjnë përpara narrativën dezinformuese se synimi final është përndjekja e serbëve.

Edhe artikulli i tretë është i ndërtuar kryesisht mbi deklaratat e Aleksandar Vuçiq, pasi Vuçiq pretendon se Kurti ka “ekzagjeruar” ose “shpikur” gjëra nga takimi me Macron.

Në të njëjtën linjë raportimi është vërejtur edhe “Sputnik”, i bazuar tërësisht në deklaratat e Aleksandar Vuçiqit.

Deklarimet e Vuçiqit rreth vizitës së Kurtit në Francë dhe pretendimet e tij se i di edhe temat që do t’i ngrejë Kurti janë publikuar edhe në disa faqe në gjuhën shqipe (shih Kosova Info +, dhe TeleshkronjaPost News).

E në disa faqe në rrjetet sociale deklarata e Vuçiqit u shpërnda pa kontekst, madje duke e bërë si punë të kryer që Kurti ka kërkuar largimin e KFOR-it nga veriu i Kosovës.

Një faqe në TikTok (arkiva) ka shpërndarë një fotografi të Kurtit në Paris ndërsa në përshkrim thuhet “Albin Pozharevci, dje në Paris kërkoi që të tërhiqet KFOR-i nga veriu i vendit dhe të zbatohet Aneksi i Ohrit i vitit 2023. Pra, përfshi aty edhe Nenin 7, e cila u jepë serbëve autonomi me kompetenca ekzekutive në plotë dhjetë (10) komuna të Kosovës, si dhe eksterritorialitet për shtatë (7) kisha dhe manastire të a.q. serbe, që do të thotë, krijimin e shtatë (7) mini-shteteve kishtare serbe. Poashtu, aty përfshihet edhe Neni 10, i cili kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të vitit 2013. Ky definitivisht e ka vendosë me e shkatërru shtetin e Kosovës”.

Ky përshkrim në TikTok është në linjë me narrativën dezinformuese të Vuçiqit.

Më 30.03.2026, në grupin në Facebook “Liria ka emër” (arkiva) është publikuar një fotografi nga takimi në Paris mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Në fotografi është vendosur një mbishkrim që pretendohet se është një shkrim i nxjerrë nga gazeta franceze “Le Monde”.

“Gazeta prestigjioze franceze ‘Le Monde’ zbulon prapaskenat e takimit Kurti-Macron. Kurti u zotua për fillimin e implementimit të marrëveshjes që u sjell serbëve autonomi të fortë dhe status special për kishat, sipas modelit të Athosit në Greqi”- pretendohet në postim.

Krypometër ka kërkuar në uebfaqen e “Le Monde” nëse është shkruar mbi takimin Kurti- Macron, mirëpo shkrimi i fundit për Kurtin në gazetën franceze është kur ai u rizgjodh kryeministër i vendit në shkurt të këtij viti.
Megjithatë, komunikatat zyrtare tregojnë një pasqyrë tjetër të takimit në Paris.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, takimi ndërmjet Kurtit dhe Macronit është përqendruar në bashkëpunimin bilateral, integrimin europian dhe sigurinë rajonale.

Në këtë kontekst, është theksuar roli i vazhdueshëm i KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Europian në Kosovë.

Në komunikatë nuk përmendet asnjë kërkesë e tillë si ato të pretenduara nga Vuçiq, përfshirë largimin e NATO-s apo kushte të veçanta ndaj Serbisë. Përkundrazi, theksi vihet te bashkëpunimi me aleatët euroatlantikë, dialogu me Serbinë dhe përkushtimi ndaj integrimit në Bashkimin Europian.

“Nga Presidenti Macron kërkova mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë”- ka thënë Kurti.

Haradinaj kujton masakrat në Lybeniq dhe Gjakovë: Nuk do t’i harrojmë kurrë të rënët për liri

Haradinaj kujton masakrat në Lybeniq dhe Gjakovë: Nuk do t’i harrojmë kurrë të rënët për liri Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar ngjarjet tragjike të luftës në Lybeniq dhe zonat përreth, duke theksuar se këto masakra mbeten plagë e pashlyeshme në historinë e vendit.

Ai ka rikujtuar se Lybeniqi u masakrua më 25 maj 1998, ndërsa java e parë e prillit 1999 ishte kobshme për këtë fshat dhe zonën përreth, ku forcat serbe ekzekutuan mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur nga Lybeniqi, Buçani, Rashiqi, Loxha, Kosuriqi dhe Prilepi.

Haradinaj bëri të ditur se gjatë përkujtimit, së bashku me familjarët e viktimave, është zbuluar pllaka përkujtimore në shtëpinë e Ahmet Ukshinaj, të cilit i është ndarë dekorata “Me Besim në Zot, Atdhe e Shtet” për angazhimin e tij në çështjen kombëtare.

Ai theksoi se në vitet ’90, kulla e Ukshinajt kishte qenë një nga bazat më të sigurta dhe më të rëndësishme të UÇK-së.

Në këtë përvjetor, Haradinaj kujtoi edhe martirizimin e dhjetëra qytetarëve në Gjakovë, përfshirë familjen e Januz Canës që u shua pa pasardhës, si dhe të rënët në shtëpinë e familjes Vejsa dhe në pjesë të tjera të qytetit.

“Askurrë nuk do t’i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre u bënë mburojë e kësaj toke. Sot e për mot, përulemi me respekt para sakrificës së të rënëve për liri”, ka deklaruar Haradinaj.

Infantino e konfirmon: Irani do të jetë e do të luajë në SHBA

Irani do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti dhe do të luajë ndeshjet e tij sipas kalendarit të përcaktuar. Ai që e konfirmon këtë është vetë presidenti i FIFA, Gianni Infantino i cili ishte i pranishëm në tribunë në Antalia në ndeshjen miqësore mes Iranit dhe Kosta Rikës.

‘Irani do të jetë në Kupën e Botës në stadiumet e parashikuara-është shprehur kreu i qeverisë së futbollit botëror që u shfaq gjatë pushimit të sfidës-ky është motivi që unë jam këtu’

Kujtojmë se pjesëmarrja e Iranit në kampionatin botëror të futbollit u vu në dyshim për shkak të konfliktiti të krijuar në vend.

Vetë presidenti amerikan Donald Trump ishte shprehur se skuadra iraniane ishte e mirëpritur në SHBA, por do të ishte më mirë të mos vinte, ndërkohë që drejtuesit iranianë kërkuan spostimin e ndeshjeve të tyre në Meksikë.

Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit diskuton çështjen e njehsorëve elektrikë

Është mbajtur sot takimi i parë i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Në këtë takim u diskutuan çështje që ndërlidhen me mbrojtjen e konsumatorit, përkatësisht ankesat që prekin fusha të ndryshme, përfshirë problematikën me njehsorët elektrikë, ngritjen e çmimeve të derivateve, si dhe sektorët e tjerë për të cilët qytetarët e Republikës së Kosovës kanë paraqitur ankesa.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit bën me dije se po ashtu, gjatë kësaj mbledhjeje, është formuar grupi punues për hartimin e programit katërvjeçar për mbrojtjen e konsumatorit në vend.

Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit prezantoi raportin me statistikat mbi numrin e ankesave, llojin e tyre, si dhe informacionet lidhur me trajtimin e këtyre ankesave.

“Ministria mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe në adresimin e çdo shqetësimi të tyre në mënyrë të drejtë dhe transparente” thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Këmbëngulë mbrojtja e Thaçit: ZPS-ja po e shkel rregullin 136

Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi po vazhdon ta kontestojë ligjshmërinë e dorëzimit të provave nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Kryembrojtësi, avokati Lluka Mishetiq sërish në kundërpërgjigjen ndaj ZPS-së, ka kërkuar që kjo e fundit të ndalojë dorëzimin e provave pas mbylljes së çështjes kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Fillimisht, me datën 13 mars kishte kërkuar nga trupi gjykues që të urdhërojë Prokurorinë për mos paraqitje të provave.

Ndërkaq, më 25 mars, kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West iu përgjigj kërkesës duke kërkuar refuzimin e saj.

ZPS ka thënë se zbulimet në fjalë i plotësojnë të gjitha kriteret dhe “nuk përbëjnë paraqitjen e ‘parashtresave’ apo ‘paraqitjen e provave’.

“Kërkesa e Mbrojtjes së Thaçit për një urdhër ndaj ZPS-së në bazë të Rregullës 136 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, dhe shpërfill zbatimin e Rregullës 112 dhe jurisprudencën e Dhomave të Specializuara lidhur me të. Përmbushja nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) e detyrimeve të saj të vazhdueshme të zbulimit të provave, në përputhje me kornizën e aplikueshme, nuk përbën paraqitje provash, apo paraqitje të parashtresave, në kuptimin e Rregullës 136. Kërkesa duhet të refuzohet në përputhje me këtë”, thuhet në këto parashtrime.

Por, më 30 mars, mbrojtja i është kundërpërgjigjur këtij parashtrimi, duke vlerësuar se qëndrimi i ZPS-së bazohet në “interpretim të gabuar” dhe “nëse nuk ndryshohet“do të lejonte një shkelje të vazhdueshme për gjykim të drejtë”.

“Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (Mbrojtja) me këtë i përgjigjet Parashtrimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) lidhur me Kërkesën e Mbrojtjes për një Urdhër në bazë të Rregullës 136 të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës Qëndrimi i ZPS-së bazohet në një interpretim të gabuar të Rregullave 112 dhe 136, i cili, nëse lihet i pandryshuar, do të lejonte një shkelje të vazhdueshme të të drejtës themelore të z. Thaçi për një gjykim të drejtë”, thuhet në përgjigjen e mbrojtjes Lluka Mishetiq.

Avokati kryesor i ish-presidentit, Hashim Thaçi, përmes parashtrimeve të tij shpreh shqetësimin se paraqitja e njëanshme e provave nga ZPS-ja nuk garanton proces të drejtë.

“Kjo paraqitje e “fshehtë” e provave shkel parimin e barazisë së armëve dhe të drejtën për t’u komentuar mbi provat e paraqitura para gjykatësit të faktit, siç garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Brandstetter kundër Austria), Neni 31 i Kushtetutës dhe Ligji (vendim i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese që shqyrton dhe konfirmon përputhshmërinë kushtetuese të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës)”, thuhet tutje në këtë parashtrim të mbrojtjes.

Mbrojtja sërish përmes kësaj kundërpërgjigjeje ndaj ZPS-së ka kërkuar nga trupi gjykues që të urdhërojë këtë të fundit për mos dërgimin e këtyre provave.

Por, çfarë thotë Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, saktësisht rregulla 136?

“Pas deklaratave përmbyllëse, kryetari i trupit gjykues e deklaron çështjen të mbyllur. Në këtë fazë trupit gjykues nuk mund t’i paraqitet asnjë parashtrim tjetër, përveç se në rrethana të posaçme dhe duke treguar arsye të vlefshme. Në këtë fazë trupi gjykues nuk mund të pranojë asnjë parashtrim, apo të dëgjojë dëshmi të tjera, përveç nëse diktohet prej rrethanave të posaçme”, thuhet në këtë rregullore.

Ky debat vjen pas mbylljes së kësaj çështjeje ndaj katërshes së UÇK-së dhe kur ky rast tanimë është në duart e gjykatësve për vendim.

Më 9 shkurt të këtij viti në Dhomat e Specializuara kanë nisur fjalët përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Katërshja e UÇK-së me 18 shkurt kanë paraqitur fjalët e tyre prej 20 minutash, ku janë deklaruar sërish të pafajshëm për të gjitha akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, me pretendimet për krime lufte.

Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Murati tregon kur dalin pagat e 13-ta për lehonat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi se nënave lehona që janë në marrëdhënie pune e që nuk u është ekzekutuar paga e 13-të e plotë, të bëjnë kërkesë në institucione ku janë të punësuara dhe muajin e ardhshëm do t’u ekzekutohen.

Pas disa pretendimeve se disa nënave që kanë qenë në pushim të lehonisë vitin që lamë pas, nuk u është ekzekutuar paga e 13-të e plotë, Murati tha se kjo varet se si është deklaruar nga institucioni se ku janë të punësuara.

Më tej ai tha se është një gabim i cili mund të korrigjohet dhe në muajin e ardhshëm ekzekutohen.

“Nuk di për raste të tilla, vendimi qëndron të punësuarat që janë në pushim të lehonisë përgjatë periudhës, u llogaritet sikur të kenë punuar me orar të plotë, prandaj, u takon edhe paga e 13-të. Çka mund të ketë ndodhur, nuk di për raste të veçanta, mirëpo, i inkurajoj që të paraqesin ankesë tek institucionet ku janë të punësuara, sepse shpesh varet se si është deklaruar nga institucioni. Nëse ka pasur deklarim të gabuar, nuk figuron si e punësuar që është në pushim të lehonisë edhe mund të ketë ndodhur ndonjë gabim sa i përket trajtimit. Ajo mund të korrigjohet dhe patjetër që në muajin e ardhshëm mund të ekzekutohen”, tha Murati pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet për mediat.

Dje, të gjithë punonjësve të sektorit publik i janë ekzekutuar në llogaritë e tyre bankare paga e 13-të.