Hën. Mar 30th, 2026

30 Mars, 2026

Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër për herë të parë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka efekt juridik.

Në rendin e ditës janë përfshirë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe amendamentet e tyre, përfshirë:

Marrëveshje për qasje në Arsimin e Lartë dhe pranimin për studime në Ballkanin Perëndimor.

Amendamente për programet financiare IPA 2017 dhe IPA 2018.

Marrëveshje kredie me Bankën Evropiane për Investime, BERZh dhe Fondin Saudit për projekte energjetike dhe infrastrukturore.

Gjithashtu, Kryesia do të formojë komisione ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe do të shqyrtojë propozime për emërime deputetësh në komisione parlamentare.

Mbledhja e Kryesisë vjen në një moment vendimtar për funksionimin e Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që anuloi efektin e shpërndarjes së tij.

Ekspozita për masakrat në Kosovë, OVL e UÇK-së proteston para Kuvendit

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj ekspozitës mbi masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duke e cilësuar atë si përpjekje për relativizim të krimeve serbe.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, theksoi se një qasje e tillë është e papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës, derisa njoftoi edhe mbajtjen e një proteste të hënën para Kuvendit.

“Nuk pranojmë relativizimin e krimeve serbe, nuk heshtim përballë fyerjes së viktimave tona. Për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që të hënën, në ora 13:00, të organizojnë protestë para Kuvendit”, deklaroi Syla.

Ai bëri të ditur se protesta do të mbahet te hyrja kryesore e Kuvendit dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen.

“Kuvendi i ka dy-tri hyrje, ju e dini, bëhet fjalë për hyrjen kryesore këtu ku edhe parkohen makinat e deputetëve edhe atyre që funksionojnë, operojnë e veprojnë në Kuvend. Përmes kësaj konference, i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dinjitet, që e ndiejnë sakrificën dhe që nuk e pranojnë padrejtësinë të na bashkohen në orën 13:00. Kjo nuk është vetëm protesta jonë, kjo është mbrojtje e historisë sonë. Ju presim në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës. Ta ngremë zërin së bashku në mbrojtje të vlerave të luftës dhe ta nderojmë kujtimin për martirët tanë”, tha Syla.

Kësaj proteste në mbështetje i kanë dalë edhe Partia Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Mblidhet Qeveria, në rend dite dërgimi i FSK-së në Gaza dhe 500 mijë eurot për Kombëtaren

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot.

Në rend dite janë disa pika, në mesin e tyre edhe ndarja e 500 mijë eurove për Kombëtaren e Kosovës në futboll, pas fitores kundër Sllovakisë.

Gjithashtu, në rend dite do të jetë edhe ndarja e pagës së 13-të, si dhe dërgimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, Projektligji për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e ai për Banimin Social dhe të Përballueshëm.