Enj. Pri 2nd, 2026

Janar 2026

Ministri gjerman i Mbrojtjes: Nuk ka shenja se Amerika do të largohet nga NATO

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u bëri thirrje vendeve evropiane të tregojnë më shumë vetëbesim në marrëdhëniet e tyre me SHBA-në.

“Do të ishte gabim të vazhdonim të shikonim ngultas në drejtim të Shtëpisë së Bardhë si një lepur gjarpri dhe të prisnim që të ndodhte diçka. Në këtë rast, do të humbisnim fokusin te ajo që është më e rëndësishme: të bëheshim më sovranë dhe të pavarur”, tha Pistorius në një intervistë me median RND.

Ai tha gjithashtu se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbështetet në politikat e pasigurisë dhe frikës për të arritur qëllimet e tij.

“Por ata që kanë frikë marrin vendime të gabuara. Kjo është arsyeja pse ne nuk lejojmë veten të frikësohemi”, tha Ministri gjerman i Mbrojtjes.

“Nuk ka shenja se SHBA-të do të largohen nga NATO”

Pistorius, i cili është ndër politikanët më të njohur gjermanë, tha se Evropa ka nevojë për ShBA-në, por edhe se ShBA-ja ka nevojë për Evropën.

“Evropa është me interes të madh gjeostrategjik dhe gjeoekonomik për Uashingtonin”, tha Pistorius, duke shtuar se, në rast se Evropa hyn në sferën e interesit të Rusisë, SHBA-të do të gjenden midis Kinës dhe Rusisë, gjë që, theksoi ai, nuk mund të jetë në interes të askujt në Uashington.

Ministri gjerman gjithashtu nuk beson se themelet e përbashkëta mbi të cilat mbështetet NATO janë vënë në pikëpyetje, pavarësisht trazirave të fundit mbi Groenlandën.

“Nuk ka shenja se SHBA-të do të largohen nga NATO”, përfundoi Pistorius.

Pas fjalimit të gjatë të Abdixhikut, Kuvendi i LDK-së vazhdon punimet me dyer të mbyllura

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e saj, ku pritet të përcaktohet se kush do të jetë në krye të partisë.

Pas rezultatit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 vende në Kuvend, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku ka thënë se të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe pastaj u mbetet kuvendarëve të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo.

E sot 355 delegatët e LDK-së mblidhen për të diskutuar lidhur me udhëheqjen e partisë.

Kurti: Zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit

Është mbajtur Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, në Teatrin “Avdush Hasani”.

Në kete akademi u theksua rëndësia dhe sakrifica e veprimtarisë së Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhes dhe Hakif Zejnullahut,

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ne fjalen e tij tha se kjo ditë eshte e rezervuar për Zahir Pajazitin dhe luftëtarë e tjerë.

Kurti theksoi se zona e Llapit i dha Kosovës grupin e Zahir Pajazitit.

“Që prej 29 vitesh, dita e fundit e janarit përherë është rezervuar për ta kujtuar Zahir Pajazitin me shokë, një ndër personalitetet më të shquara dhe më të veçanta në luftën për çlirimin e Kosovës. Në respekt të kësaj tradite tashmë të institucionalizuar, me konsideratat më të larta për dëshmorët, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, sot më 30 janar 2026, jam i nderuar të jem këtu në Llap mes familjeve të dëshmorëve dhe ju bashkëluftëtarëve të tyre për homazhe dhe këtë akademi përkujtimore. Këtë vit, Zahirin me shokë po e kujtojmë me këtë akademi përkujtimore këtu në Podujevë, e vitin tjetër, që shënon përvjetorin jubilar, 30-vjetorin, do t’i nderojmë e lartësojmë nga Prishtina nën patronazhin e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës. Sot janë bërë 29 vite nga rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, më 31 janar 1997. Por, çfarë dhe kë kujtojmë në të vërtetë në këtë rast? Kush ishin këta njerëz dhe cila është koha e tyre?”, tha ai.

Kurti shtoi se djemtë dhe vajzat e Llapit kanë lënë mbrapa një histori të jashtëzakonshme të përpjekjeve dhe të flijimit të tyre për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Komunes së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se rënia e tyre heroike ishte frymëzim për mijëra të rinj e të reja që më vonë i ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Parashikimi i motit për vikend 📅 31 Janar – 01 Shkurt 2026🌦

Gjatë vikendit parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët, me riga shiu dhe reshje bore ( të dielen).
Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1–7 m/s.

🔹 E shtunë (31 janar)
☁️ Mot i vranët, me intervale të shkurtra me diell
🌡 Temperaturat minimale: 0 – 2°C
🌡 Temperaturat maksimale: 5 – 8°C
💨 Era: veriperëndim, 1–5 m/s

🔹 E diel (01 shkurt)
☁️ Mot kryesisht i vranët, me riga shiu dhe reshje bore
🌡 Temperaturat minimale: -1 – 1°C
🌡 Temperaturat maksimale: 1 – 3°C
💨 Era: verilindje, 1–7 m/s

Abdixhiku dorëzon dorëheqjen para Kuvendit të LDK-së, vendimi i lihet delegatëve

Kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen e tij para delegatëve të Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, duke theksuar se vendimi përfundimtar tashmë i takon këtij forumi.

Gjatë fjalimit të tij, Abdixhiku tha se, me ndjenjë të plotë përgjegjësie, ia paraqet Kuvendit dorëheqjen nga posti i kryetarit, me qëllim që çështja e votëbesimit të vendoset drejtpërdrejt para delegatëve.

“Të dashur delegatë, me përgjegjësi të plotë po ia paraqes Kuvendit të LDK-së dorëheqjen time nga detyra e kryetarit, në mënyrë që ky Kuvend të vendosë për votëbesimin,” u shpreh Abdixhiku.

Ai theksoi se ky veprim nuk ka për qëllim krijimin e krizave apo përçarjeve brenda partisë, por qartësimin e drejtimit politik që duhet ndjekur në të ardhmen.

“Nuk e bëj këtë për të shkaktuar krizë, por për të sqaruar rrugën që duhet të ndjekim përpara. Nuk e bëj për ta ndarë LDK-në, por për ta forcuar dhe bashkuar atë,” tha ai, duke iu drejtuar delegatëve me pyetjen se si e shohin vazhdimin e tij si kryetar dhe të ardhmen e partisë.

Abdixhiku përfundoi duke theksuar se çfarëdo vendimi që do të marrë Kuvendi, ai do ta pranojë dhe respektojë me dinjitet dhe besim të plotë në procesin demokratik të LDK-së.

Hamza kujton Pajazitin, Zejnullahun e Hoxhën: Sakrifica e tyre i dha drejtim lirisë sonë

Në përvjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar me nderim sakrificën e tyre, duke thënë se ajo ishte vendimtare për rrugën drejt lirisë së Kosovës.

“Në përvjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, kujtojmë me nderim sakrificën e tyre, e cila i dha drejtim lirisë sonë. Komandanti Zahir Pajaziti ishte mishërim i guximit dhe i vendosmërisë në një kohë kur liria dukej e largët dhe e pamundur”, shkroi ai.

Hamza tha po ashtu se rënia e tyre, ashtu si sakrifica e çdo dëshmori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përbën themelin e shtetit të Kosovës dhe mbetet kujtesë e përhershme e sakrificës shekullore të popullit shqiptar.

“Rënia e tyre, ashtu si sakrifica e çdo dëshmori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përbën themelin e shtetit dhe mbetet kujtesë e përhershme e sakrificës shekullore të popullit tonë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!”, shkroi Hamza.