Enj. Pri 2nd, 2026

Janar 2026

87% e votave të numëruara: Këta janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

Procesi i numërimit të votave pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë po i afrohet fazës përfundimtare, duke e bërë gjithnjë e më të qartë përbërjen e re të Kuvendit me 120 deputetë. Deri tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përpunuar rezultatet nga 2 mijë e 227 vendvotime, që përfaqësojnë rreth 87 për qind të votave për deputetë.

Sipas të dhënave të publikuara deri më tani, kandidati më i votuar është Albin Kurti me 330 mijë e 43 vota. Pas tij renditet Bedri Hamza me 137 mijë e 153 vota, ndërsa Lumir Abdixhiku ka siguruar 68 mijë e 374 vota. Ramush Haradinaj, sipas rezultateve aktuale, ka marrë 36 mijë e 87 vota.

Më poshtë gjeni më të votuarit nëpër listat e partive:

VV

ALBIN KURTI – 303,043 vota
GLAUK KONJUFCA – 235,340 Vota
ALBULENA HAXHIU – 123,904 Vota
HEKURAN MURATI – 122,573 Vota
DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ – 110,719 Vota

PDK

BEDRI HAMZA – 137,153 Vota
ARIAN TAHIRI – 61,719 Vota
PËRPARIM GRUDA -56,815 Vota
URAN ISMAILI – 45,659 Vota
SALA JASHARI – 41,794 Vota

LDK

LUMIR ABDIXHIKU – 68,374 Vota
HYKMETE BAJRAMI – 42,809 Vota
UKË RUGOVA – 37,664 Vota
AVDULLAH HOTI – 34,075 Vota
DOARSA KICA XHELILI – 33,178 Vota

AAK

RAMUSH HARADINAJ – 36,087 Vota
DAUT HARADINAJ – 21,419 Vota
BESNIK TAHIRI – 21,358 Vota
BEKË BERISHA – 15,661 Vota
AGIM ÇEKU – 14,445 Vota

Zgjedhjet në datën e preferuar të VV, Osmani partive opozitare: Diçka tjetër thonë para kamerave, diçka tjetër në takime

Akuzave të partive politike se presidentja vendosi në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, kur caktoi datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, u është përgjigjur e para e vendit.

Vjosa Osmani në një intervistë ekskluzive për emisionin Kiks Kosova, në Klan Kosova, pohoi se data 28 u caktua për ditë zgjedhore, vetëm pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia dërgoi një letër në të cilën iu lut presidentes për kohë, pas që ky komision vlerësoi se është e pamundur praktikisht që të mbaheshin zgjedhjet më 21 dhjetor.

“Të gjitha partitë politike e dinë shumë mirë që për shkak afateve kushtetuese, para meje kanë qenë vetëm dy mundësi, data 21 dhjetor dhe data 28 dhjetor. Sa i përket datës 21 dhjetor, mua më është dërguar vlerësime me shkrim i trupave profesionale të KQZ-së , ku është vlerësuar, po citoj, që është praktikisht e pamundur, zgjedhjet të organizohen në mënyrë të rregullt për datën 21 dhjetor. Unë e kam thënë edhe para juve si mediave, ne ende ishim në mes të një procesi të zgjedhjeve lokale sepse ende nuk ishin numëruar të gjitha votat, ende nuk ishin përfunduar të gjitha proceset, platformat e njëjta që janë shfrytëzuar për zgjedhje lokale, do të duheshin të shfrytëzoheshin edhe për zgjedhje nacionale e shumë e shumë procese të tjera të cilat e bënin të pamundur që të organizoheshin zgjedhjet brenda 30 ditësh. Prandaj, ka qenë kërkesë e qartë që t’u jepet pak më shumë kohë dhe e vetmja mundësi tjetër ka qenë data 28 dhjetor”, tha ajo.

Megjithatë, e para e vendit deklaroi se ka qenë në interes të Kosovës që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë masive, duke shtuar po ashtu edhe faktin se të gjitha partitë shqiptare kanë votuar për ligjin që ua jep mërgimtarëve të drejtën për të votuar në konsullata e ambasada.

“Unë nuk e kam parë asnjëherë si anim në raport me një parti, ka qenë anim në raport me interesin qytetar, atë e kam për detyrë ta mbrojë, atë e kam mbrojtur dhe tani me këtë rezultat, unë besoj se do të kemi institucione sa më parë, kjo është vetëm në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Llogaritni, sikur të bllokoheshin edhe një vit tjetër apo më shumë, se sa shumë humbje e se sa shumë pësime do të kishte Republika jonë nga dështimet e tilla”, deklaroi Osmani.

Vdekja e Nexhat Dacit, mësohet agjenda e ceremonisë mortore

Sot u nda nga jeta ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, akademiku Nexhat Daci.

Lajmin për vdekjen e tij e bënë të ditur familja,.

Me dhimbje, vajza e tij, Edi, u shpreh se babain, Nexhatin, do ta kujtojnë gjithmonë për përkushtimin, urtësinë dhe kontributin e tij ndaj familjes, shoqërisë dhe vendit.

Me këtë rast, Edi ka bërë publike agjendën e ceremonisë mortore të z. Daci.

Nga ora 09:00 deri në orën 11:45 do të bëhen homazhe në Hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Homazhet do të vijojnë me akademi përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit, nga ora 12:00 deri në orën 12:45.

Varrimi i Dacit do të bëhet me nderime shtetërore, te varrezat në Dragodan, me fillim nga ora 13:40.

Ky është njoftimi i plotë:

Me pikëllim të thellë njoftojmë se sot ka ndërruar jetë baba ynë, Nexhat Daci. Babin do ta kujtojmë gjithmonë për përkushtimin, urtësinë dhe kontributin e tij të çmuar ndaj familjes, shoqërisë dhe vendit, duke lënë pas një trashëgimi të respektit dhe dinjitetit që do të mbetet e paharruar.

Ceremonitë mortore do të mbahen nesër, më 02.01.2026, sipas kësaj agjende zyrtare:

09:00 – 11:45

Homazhe – Holli i Kuvendit të Kosovës

12:00 – 12:45

Akademi Përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

13:40 – 14:20

Varrimi me nderime shtetërore tek Varrezat në Dragodan:

Familja Daci falënderon të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie.

E pamja do të mbahet nga data 03 deri më 05 janar, në Hotel Sirius, nga ora 10:00 – 17:00.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të.

Vazhdon trendi i ikjes, 90 mjekë braktisën Kosovën gjatë vitit 2025

Fenomeni i largimit të mjekëve nga Kosova ka vazhduar dhe gjatë vitit që po e lëmë pas. Vetëm gjatë vitit 2025, 90 mjekë janë larguar nga Kosova.

Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), Rrezart Halili, ka bërë të ditur për Indeksonline se gjatë vitit 2025, 90 mjekë janë pajisur me certifikatën mbi të kaluarën etike dhe profesionale, dokument që shërben si bazë për punësim jashtë Kosovës dhe që konsiderohet indikator kryesor për matjen e largimit të mjekëve nga vendi.

Për të kuptuar më mirë arsyet e këtij trendi, Oda e Mjekëve e Kosovës ka realizuar një pyetësor anonim me anëtarët që kanë tërhequr këtë certifikatë. Halili thotë se sipas analizës së përgjigjeve, arsyet kryesore që i shtyjnë mjekët të kërkojnë mundësi jashtë vendit janë mungesa e punësimit, shkollimi specialistik jo kualitativ, kushtet e papërshtatshme të punës dhe paga e ulët.

“Ankesat që anëtarët e Odës i adresojnë Odës së Mjekëve të Kosovës janë të natyrave të ndryshme dhe lidhen kryesisht me çështje profesionale, etike dhe administrative. Ndër më të shpeshtat janë kushtet e punës dhe ngarkesa e lartë profesionale, marrëdhëniet kontraktuale, çështjet e pagave dhe kompensimeve (kujdestari/shtesa), mungesa e sigurisë në vendin e punës, si edhe çështjet që ndërlidhen me etikën profesionale dhe procedurat disiplinore”, ka thënë Halili