Të paktën 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi me dron rus pranë një autobusi që transportonte punonjës të një kompanie në Ukrainën lindore, ka njoftuar një zyrtar rajonal.
Sipas informacionit paraprak, edhe shtatë të tjerë janë plagosur në rajonin Dnipropetrovsk, ka shkruar në Telegram kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Ganzha.
Kompania energjetike DTEK, që tha se autobusi po transportonte minatorët e saj pas një shifte, e përshkroi sulmin si të synuar drejt punonjësve të saj. Sipas kompanisë, 15 persona kanë humbur jetën në këtë sulm.
Ndërkohë, autoritetet lokale raportuan se të paktën tre të tjerë u vranë dhe nëntë u plagosën në sulme të ndara ruse gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, përfshirë dy gra që u plagosën gjatë lindjes në një maternitet në Zaporizhzhia.
Kreu rajonal Ivan Fedorov e përshkroi sulmin ndaj maternitetit si “dëshmi të mëtejshme të një lufte kundër jetës”. Të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme, dhe Fedorov publikoi video dhe fotografi të dritareve të thyera dhe mbeturinave të djegura brenda maternitetit.
Sulmet e fundit vijnë pas një vale sulmesh ruse ndaj rrjetit të energjisë në Ukrainë gjatë janarit, që shkaktuan probleme me ngrohjen dhe furnizimin me elektricitet në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë, me temperatura që pritet të bien nën -20°C në disa zona këtë fundjavë, raporton BBC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte deklaruar të enjten se Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte rënë dakord të ndalonte sulmet ndaj qyteteve kryesore të Ukrainës gjatë valës së të ftohtit, për një javë, ndërsa Kremlini më pas tha se kjo do të zgjasë deri të dielën.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi se raundi i dytë i bisedimeve trilaterale për përfundimin e luftës, pas gati katër vjetësh, do të nisë të mërkurën në Abu Dhabi, duke shtyrë datën e mëparshme që ishte e planifikuar për të dielën.

